Abuzime me donacionet, me tenderat, blerje pa fatura tatimore. Janë këto disa prej shkeljeve ligjore të konstatuara nga një auditim për periudhën 2013-2016 i kryer nga Ministria e Financave në Ambasadën tonë në Turqi.
Sipas raportit ambasada nuk ka zbatuar procedurat ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publik për blerjet për mallra, shërbime apo punë të ndryshme.
Pagesat janë kryer kryesisht me arkë dhe pjesërisht me bankë, ndërkohë që në mandat pagesat e arkës nuk ka nënshkruar personi që ka tërhequr paratë.
Po ashtu ambasada jonë Ankara nuk ka menaxhuar me përgjegjshmëri fondet nga sponsorizimet nga donatorë të ndryshëm për festën kombëtare dhe për Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara për këto tre vite.
Në Shqipëri janë kryer blerje pa fatura tatimore, me dëm ekonomik shumën 1,848.6 lira turke dhe 4,210 euro.
Konstatohen gjithashtu mungesa të pajisjeve në Qendrën e Kulturës Shqiptare, me dëm ekonomik në shumën 1,170 lira turke, raporton shqiptarja.com.
Auditi i Ministrisë së Financave thekson se janë përdorur fondet e sponsorizimeve për nevoja të Ambasadës, jashtë destinacionit të sponsorizimeve dhe pa miratim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Aktualisht Ambasador në Turqi është Gent Gazheli, i cili e mori detyrën në prill të vitit të shkuar.
Përpara tij, posti i Ambasadorin në Turqi u mbajt për tre vite nga Genci Muçaj.