Kryesore Skenarët/ Nëse refuzon KQZ, PS-LSI bashkë pas zgjedhjeve

Skenarët/ Nëse refuzon KQZ, PS-LSI bashkë pas zgjedhjeve

Nëse nesër kërkesa e PS dhe LSI do të refuzohet nga KQZ për shtyrje të afatit të regjistrimit të koalicioneve, atëherë dy forcat kryesore në qeveri do të shkonin të vetme përballë elektoratit në 18 qershor.

Por, fjalën e fundit pritet që ta thotë dialogu që pritet të nisë në fillim të javës, teksa në Shqipëri do të vijë David McAllister.

Zv/Presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, është një nga njerëzit e besuar të grupimit më të madh politik të të djathtës europiane dhe i kancelares gjermane Angela Merkel, por njëkohësisht edhe një i njohur i kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Ardhja e tij është shpresa e fundit për të ulur palët në dialog, pasi deri tani të gjitha opsionet kanë dështuar.

Nëse opozita do të ulet në tryezë dhe nëse do të kërkojë që të ndryshojë Kodi Zgjedhor, atëherë do të ketë një tjetër mundësi për regjistrim të palëve në zgjedhje, pasi aktualisht opozita nuk ka pranuar duke bojkotuar procesin.

Nëse qëndrojmë në këtë linjë, atëherë do të kishte një tjetër mundësi që koalicioni i majtë të regjistrohej në zgjedhjet parlamentare.

Por nëse negociatat do të dështojnë, palët do të futeshin vetem ne zgjedhje. Atëherë koalicioni mes dy forcave kryesore të shumicës aktuale qeverisëse PS dhe LSI mund të firmoset pas zgjedhjeve të 18 qershorit.