Stafi mjekësor i Spitalit Rajonal Berat është vetëkarantinuar. Lajmi u konfirmua nga Drejtoresha e Spitalit Rajonal Berat,Edlira Shkëmbi.
Paraditen e kësaj të premte në orën 09:30 është njoftuar se një paciente ishte sëmurë me gjendje asmatike në lagjen “Çlirimi”. Një mjeke nga lagjja “Kala”, një infermier dhe shoferi i ambulancës shkuan në banesë.
Pasi kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares, stafi mjekësor ka konstatuar se, pacientja ishte e qetë, nuk kishte shenja klinike të krizës asmatike, nuk kishte temperaturë dhe shenjat vitale ishin normale.
Pacientja i ka stafit se kishte prej disa ditësh kollë dhe dhimbje fyti, por i ka gënjyer ata për ardhjen e saj nga Italia një javë më parë.
Kur stafi mjekësor e ka pyetur nëse ka udhëtuar jashtë shtetit së afërmi ose nëse ka pasur kontakte me persona që kanë jetuar në Itali, pacientja u është përgjigjur “Jo”.
Por pasi kanë dalë jashtë banesës, stafit mjekësor i është referuar nga fqinjët se gruaja kishte ardhur nga Italia një javë më parë, gjë e cila është konfirmuar më pas edhe nga pacientja.
Është njoftuar menjëherë 127 dhe epidemiologu për marrjen e mostrës së pacientes. Po ashtu janë marrë edhe mostrat e stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat, që ishin në kontakt me pacienten. Ata janë vetëizoluar deri në daljen e përgjegjës së analizave.