Specialistja e IT e punësuar në AKSH dhe që ushtronte detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Eni Qirjako ka treguar para hetuesive se 6 databazat me listëpagesat e mbi 690 mijë qytetarëve ia ka dhënë kolegut të saj Andi Agaraj.
Me dëshminë e saj ajo është bërë bashkëpunëtore e drejtësisë për të zbardhur skemën e përdorur për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve.
Sipas Qirjakos kolegu i kishte thënë që i duheshin për një punë studimore pasi po bënte temën e diplomës master. Ajo po ashtu ka treguar se nuk e dinte që kolegu i saj do ta keqpërdorte dhe ia ka dhënë në mirëbesim.
Po ashtu e reja ka treguar se kur janë publikuar të dhënat në media, Agaraj i ka kërkuar që të formatojë kompjuterin, por ajo ka refuzuar që ta bëjë. Andi Agaraj, thuhet në dosjen hetimore se ka treguar emrin e Klodian Sotës të cilit ia ka shitur të dhënat dhe ka kërkuar masë më të butë sigurie.
Ndërsa përmbaruesit privat Endri Ikonomi, ka pretenduar se i ka blerë me faturë tatimore të dhënat nga Klodian Sota, pasi i duheshin për biznesin e tij, por se nuk e dinte burimin e tyre.
Gjatë leximit të provave prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “detyrim paraqitje” për Qirjakon dhe “arrest në burg” për tre të tjerët. Në bazë të dosjes hetimore rezulton se organi i akuzës kishte vënë nën përgjim rreth 30 persona, por që nuk kanë përfituar detaje të reja. E gjithë skema është zbardhur nga deklarimet e personave të dyshuar.
Gjykata pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve ka liruar nga qelia 4 të dyshuarit, konkretisht për Eni Qirjakon është caktuar detyrim paraqitje ndërsa për specialistin e IT, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi është vendosur “arrest në shtëpi”.
Prokuroria vijon hetimet për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në skandalin e publikimit të të dhënave personale të mbi 690 mijë qytetarëve. Po ashtu hetime intensive po kryhen edhe për databazën e targave të automjeteve.