Aktualitet Misteri i vdekjes së Ermal Qoses në Britaninë e Madhe

Misteri i vdekjes së Ermal Qoses në Britaninë e Madhe

Disa media në Britaninë e Madhe shkruajnë se vdekja e 35-vjeçarit shqiptar, Ermal Qose, është bërë çështja më e diskutueshme në internet.

Arsyeja është shkaku i vdekjes së tij. Disa burime pretendojnë se Qose është bllokuar nga zjarri në një fabrikë kanabisi në garazh. Qose u gjet nga zjarrfikësit natën e ndërrimit të viteve. Ai u dërgua në spital, por dy ditë më vonë ndërroi jetë.

Në lidhje me ngjarjen u vu në pranga fillimisht një 33-vjeçar pasi u kap me dokumente false, por po hetohet në gjendje të lirë. Por më vonë u arrestua edhe një 26-vjeçar për vrasje nga pakujdesia dhe kultivim kanabisi. Ky person është ende në qelitë e paraburgimit.

Megjithatë, autoritetet po punojnë për të zbuluar rrethanat e plota të vdekjes së 35-vjeçarit. Sa i përket njoftimit zyrtar, Policia Metropolitane ka thënë se Ermali humbi jetën tragjikisht pasi ngeci në garazh, ku kultivohej kanabis.

Tashmë hetimet për vdekjen e Qose janë përqendruar tek vrasja nga pakujdesia dhe për këtë arsye, oficerët e policisë kanë folur me disa banorë në zonë. Autoritetet kërkojnë që të zbulojnë nëse natën e Vitit të Ri ka pasur njerëz që kanë lëvizur përreth garazhit me kanabis.

“Çështja është aktualisht mister dhe autoritetet po bëjnë maksimumin që të gjejnë shkaqet e vërteta të vdekjes së 35-vjeçarit shqiptar”, thuhet në mediat britanike.

Ermal Qose nuk kishte një adresë të saktë banimi dhe mendohet se ka hyrë në Britani në mënyrë ilegale.