Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mohon të jetë përfshirë në skandalin e njohur si “Zhvatja”, ku sipas videove të publikuara nga e përditshmja italiane “La Verita”, është e implikuar prokuroja speciale Katica Janeva.
Dy bashkëpunëtorë të Janevës i kërkojnë biznesmenit Orce Kamçev 1,5 milion euro që ta shpëtojnë nga paraburgimi lidhur me një aferë tjetër korruptive me godinën e VMRO-së opozitare. Videot e publikuara nga “La Verita” tregojnë protagonistët e skandalit duke marrë paratë e premtuara ndërsa një bashkëpunëtor i Janevës dëgjohet të thotë se për këtë çështje ka biseduar edhe me kryeministrin, Zoran Zaev.
“Në mënyrë kategorike i hedhë poshtë këto gënjeshtra apo çfarëdo lidhje me rastin “Zhvatja”. Pres që hetimet për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejt dhe fajtorët të dalin para ligjit”, shkruan Zaev në një postim në Facebook. Partia opozitare, VMRO DPMNE kërkon rrëzimin e Qeverisë dhe arrestimin e kryeministrit dhe të prokurores Janeva. Opozita akuzon edhe prokurorinë publike se qëllimisht po zvarrit hetimin për këtë skandal.