Bashkëpunimi i trafikantëve kolumbianë me shqiptarët nuk ishte një histori vetëm dy palëshe. Dosja “Kokaina”, që gazeta Si disponon dhe po përcjell detaje prej tre ditësh, tregon se si partnerëve të trafikantëve shqiptarë e kolumbianë iu bashkuan edhe venezuelianët, në territorin e të cilëve, në lumin Orinoko do të qëndronte anija shqiptare “Privilege” derisa të ngarkohej.
Paralelisht goditja e trafikantëve të kokainës nuk ishte vetëm një histori e DEA-s, pasi për shembjen e rrjetit të narkotrafikantëve ishin përfshirë në një operacion antidrogë secret 12 shtete. Ishte pikërisht ky operacion antidrogë në të cilin ishte planifikuar që tonelata me kokainë të hynin në Shqipëri e mandej në Europë, por që pas goditjes si edhe arrestimeve, përfshi edhe prangosjen e eksponentit kolumbian Ivan De la Vega, autoritetet e hetimit amerikan deklaruan se “ky rast tregoi çfarë mund të arrihet kur shtetet punojnë së bashku kundër një armiku të përbashkët”.
Gushti i vitit 2000 ishte muaji vendimtar për të dyja palët. Trafikantët po bëheshin gati për goditjen finale pasi dërguan për garanci si pengje Vebi Hysën dhe Alfred Nanajn. Plani i trafikantëve merr formë konkrete. Anija “Privilege” vendoset të ngarkohet në Venezuelsë për t’u dërguar në emër të një shoqërie që i përkiste Frederik Durdës. Njëkohësisht DEA po i gjurmonte këmba-këmbës, por pa rënë aspak në sy.
Procedurat e ngarkesës nisin në datën 2 gusht, por në datën 10, futet në lojë edhe një anije e dytë e quajtur ‘SUERTE”, që i përkiste një tjetër organizate kriminale shumë të fuqishme dhe që do të ngarkonte çelik. Prokuroria shpjegon se çfarë do të ndodhte pas ngarkimit të tyre dhe ku do të vendosej kokaina.
Kokaina me skafe do të ngarkohej në det të hapur
“Të dyja anijet po prisnin momentin e volitshëm dhe të përshtatshëm për të ngarkuar kokainën e planifikuar në bordet e tyre. Sipas këtij plani, dy anijet do të prisnin në det të hapur dhe ngarkesa nga lumi Orinoko në drejtim të tyre do të bëhej me skafe të fuqishëm dhe të shpejtë, skafe që po të ishte e nevojshme, do t’i iknin çdolloj kontrolli të policisë. Pas ngarkimit të ngarkesës në bord do të bëhej sistemimi i gjithë sasisë së kokainës në hapësirat boshe të parapërgatitura për këtë qëllim në këtë anije”.
Koha numërohet mbrapsh
Në 16 gusht autoritetet amerikane arrestojnë njërin nga bossët dhe njerëzit më me ndikim të kokainës dhe që u cilësua nga mediat amerikane si koka e gjarpërit. Ivan De La Vega iu hodhën prangat në Marakaiho, pas përshirjes në hetime për shkërmoqjen e rrjetit edhe të Gardës Kombëtare Venezueliane. Siç u mësua më vonë, narkotrafikanti vendosi të flasë me autoritetet gjyqësore, çka më pas solli edhe ekstradimin e tij në SHBA dhe jo më kot ai u cilësua më pas si koka e gjarpërit. Nga letërporositë dhe ndihma e ndërsjelltë e sjellë nga amerikanët në ndihmë të procesit që po zhvillohej edhe në Shqipëri, ku më kryesori ishte ish-zyrtari i lartë i policisë Sokol Koçiu tregohet:
“Ivan De La Vega ishte përgjegjësi kryesor në lidhje me operacionet e ngarkimit të sasive të kokainës nga brigjet e Amerikës së Jugut dhe kryesisht nga lumi Orinoko në anijet “Privilegje” dhe “Suerte 1”, me destinacion Europën dhe Shqipërinë dhe konkretisht të pandehurit në këtë proçes penal si pritës të mallit. Por, arrestimi i papritur i Ivan De La Vegës dhe marrja vesh nga ana e eksponenteve të tjerë kolumbiane për ketë arrestim ka bërë të mundur dëshifrimin e kalkulimeve të bëra dhe dekonspirimin e skemave të ndërtuara me aq përpikmëri nga ana e të gjitha palëve të përfshira në këtë trafik”.
Në të njëjtën ditë anija “Privilegj” largohet me urgjencë nga nga porti i Montanzës në drejtim të Xhenovas duke mos e marrë sasinë e kokainës së planifikuar pasi, plani dhe aksioni për ngarkimin e tyre ishte dekonspiruar.
Kundërthëniet e fakteve
Prokuroria argumenton se largimi i anijes lidhej direkt me arrestimin e bosit të kokainës pasi: “Të bie në sy fakti që për ngarkesën e anijes “Privilegj” në Porten Kahegjo për një sasi prej 997 tonelata asfalt, anija do të qëndronte rreth 13 ditë, ndërsa për ngarkimin 4265 tonelata çelik në portin e Montanzas anija të qëndroi më pak se një ditë, pasi ka hyrë në port me dt. 15.08.2000 dhe ka dalë nga porti me dt. 16.08.2000, kur sasia e ngarkesës ka qenë disa herë më e madhe se ajo e ngarkuar në Portin Kolegjo dhe për më tej me dt. 16.08.2000 anija është drejtuar në portin e Xhenovës duke bërë lëvizje boshe dhe sa për të kamufluar veprimet dhe duke mos ngarkuar asnjë sasi të ligjshme për biznes si në dy rastet e mëparshme”.
Por, ndërsa anija shqiptare endej në det, antidroga vazhdonte të përparonte. Amerikanët bashkë me Gardën Venezueliane, tetë ditë pasi po regjistronin rrëfimin e bosit të kokainës kontrollojnë pronën e Orangel Tojo Alvarada ndodhur në Komunën e Kasakoimes të shtetit Delta Omokuro dhe sekuestrojnë 8110 kilogramë kokaine të fshehur në kantier të mbuluar me rrjetë dhe të pakëtuara në formë drejtkëndëshi, sasi kokaine e destinuar pjesërisht për organizatën shqiptare në sasinë 5-6 ton, ndërsa pjesa tjetër si ngarkesë për anijen “ Suerte 1”.
Pikërisht pas bllokimit të tetë tonëve kokainë dhe konkretisht në 25 gusht kthehen në Shqipëri dy pengjet, Alfred Nanaj dhe Vebi Hysa. Në dosje ardhja e dy të akuzuarve argumentohet:
“Kjo pasi qëllimi për të cilin ato kishin shkuar e kishte humbur rëndësinë dhe qëndrimi i mëtejshëm i tyre në Kolumbi dilte i panevojshëm për shkak të mosnisjes së sasisë së lëndës narkotike për në Shqipëri, qëllim për të cilin ata ishin paraqitur si garanci e mëvonshme për kthimin e parave nga pjesa tjetër e organizatës kriminale që përbëhej nga të pandehurit Durda, Bërballa, Koçiu dhe Gjonaj”.
Gjithçka ndodh shumë shpejt. Për trafikantët tanimë gjithçka ishte çështje orësh. SHBA bashkëpunon me antimafian italiane, të cilët vihen në lëvizje bashkë me autoritetet spanjolle. Në 29 gusht antimafia nxjerr dekretin për sekuetsrimin e anijës “Privilege”, ndërsa Spanja dekretin e obordazhit dhe po atë ditë forcat speciale spanjolle bllokojnë ekuipazhin dhe marrin në dorë “Privilege”.
Më datën 2 shtator “ Privilegje” mbërrin në bazën ushtarake të Las Palemas në Grand Kanaria, Spanjë dhe gjatë 12 orëve në vijim anija këqyret e kontrollohet duke fiksuar hapësirat dyfishe që u interpretuan nga agjenti Jogn Blamber përpara gjykatës së Teksasit, si vendet të përshtatura për të fshehur ngarkesat me drogë. Në këtë pikë prokuroria shpjegon udhëtimin e anijes shqiptare dhe të organizatës tjetër që do të bëhej me flamur të Maltës.
“Rezulton se si anija “Privilegje” dhe anija “Suerte 1”, janë anije që janë siguruar nga e njëjta kompani greke “Bulkers Shipbrooking”, ku agjent detar ka qenë shtetasi grek Vangjelis Moutafis, se të dy anijet janë të regjistruara pranë autoriteteve detare malteze, mbanin që të dyja flamur maltez, kanë ngarkuar pothuajse në të njëjtat data, sasi të njëjta materiali, asfalt, beton dhe shufra çeliku, kanë të njëjtin figuracion dhe për më tepër që të dyja kanë hapësira të dyfishta që kanë shërbyer për transportimin e sasive të mëdha lëndësh narkotike”.
Shqipëria do të furnizonte Rusinë me kokainë
Prokuroria shpjegon në dosje se sasia prej 5 deri në 6 tonë kokainë ishte e destinuar për organizatën shqiptare. “Por tregu shqiptar ishte i tejngopur dhe fuqia blerëse ishte e kufizuar, duheshin gjetur tregje të tjera ku vetëm një pjesë e vogël e kësaj lënde narkotike do të mbetej në tregun shqiptar, ndërsa pjesa tjetër duhej të nisej drejt tregut rus. Kjo pasi do të ishte rruga më e shpejtë, me më pak rreziqe dhe tepër fitimprurese në një periudhë kohore të shkurtër. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe vajtja e dy të pandehurve Durda dhe Gjonaj në shtetin rus. Kjo pasi Gjonaj nëpërmjet miqve të tyre kosovarë arrinte të gjente klientë rusë të fuqishëm në tërheqjen e sasive të mëdha të drogës nga pjesëtarët e organizatës shqiptare. Si për rastësi, po ato ditë nga Kolumbia për në drejtim të Rusisë dhe konkretisht të Shën Peterburgut është nisur edhe dëshmitari Triana Mateus dhe pas shkëputjes së lidhjeve me eksponente rusë ka marrë drejtimin e Romës, ku në pritje të tij ishin të pandehurit Durda dhe Gjonaj dhe për më tepër që edhe këta po ktheheshin nga Rusia”, thuhet në dosje.
Për të vërtetuar se dy trafikantët shqiptarë Durda dhe Bërballa kishin udhëtuar drejt Rusisë, në dosje sillet përgjimi i palës italiane në një hotel në Romë. “Të pandehurit po ktheheshin nga Rusia. Rezulton se edhe i pandehuri Din Gjonaj kishte dijeni të plotë për ardhjen dhe qëllimin e ardhjes së “Leos” i quajturi Triana Mateus në Shqipëri. Për më tepër nga ana e të pandehurit Gjonaj është pyetur i pandehuri Durda se me çfarë pasaporte udhëtonte shtetasi kolumbian Triana Mateus, duke pretenduar që të mos kishte pasaportë kolumbiane, por të paraqitej me ndonjë pasaportë spanjolle”.
Mafia italiane
Dihet që krimi flet një gjuhë. Kriminelët shqiptarë teksa kishin nisur pengjet drejt Kolumbisë dhe po prisnin tonelatat me kokainë, po përpiqeshin njëkohësisht të kishin në dispozicion skafe dhe kush më mirë se sa fqinjët italianë të krimit të organizuar mund të jepte një ndihmë të tillë.
“Me ndihmën e eksponentëve italiane dhe konkretisht Erriko Rispoli dhe Flamingo Gennaro për në Shqipëri është sjellë skafi “Sia”, skaf i cili për nga funksioni që kryente nuk kishte të bënte aspak me një skaf lundrimi për turizëm. Kjo pasi skafi ishte me fuqi motorikë të shpejtë, pa vende qëndrimi për pasagjerë dhe turistë si dhe me një hambar i cili vetëm për turist nuk shërbente. Për më tepër, megjithëse ky skaf u sekuestrua në amjentet e shoqërisë “EURALBACOM”, në riparim e sipër, nuk ishte bërë asgjë për ndryshimin e destinacionit dhe qëllimit për të cilin ishte sjellë, për marrjen e sasive të drogës nga bordi i anijes në det dhe për të zbarkuar në tokë duke hedhur poshtë pretendimin e të pandehurve Koçiu dhe Gjonaj se ky skaf do të përdorej për shërbime turistike”.
Plani me avionë
Edhe pse ndërkohë tonelatat me drogë ishin bllokuar dhe poseduesi i tyre ishte arrestuar, trafikantët shqiptarë nuk dorëzohen. Si rrugë tjetër të mundshme të pandehurit në këtë proçes kanë parë atë ajrore të transportimit të lëndës narkotike nga Kolumbia në Shqipëri. Prova më bindëse për blerjen e avionit “Antonov 28” ishte shkresa e dërguar Durdës nga një shoqëri që i kërkonte depozitimin në bankë të shumës prej 100 mijë dollarë për blerjen e një avioni. Shkresa e dytë mban gjithashtu firmën e Durdës drejtuar noterit të qarkut Medelin me anë të cilës ky i pandehur i jep fuqi ligjore zotit Luiz Alberto Zapat Ramires, që të përfaqësoje dhe veprojë për llogari dhe në emër të shoqërisë “General Trading” për lidhjen e kontratës së shit-blerjes së një aero-anije nga firma “Aerolinea Tampa”. Së bashku me këtë provë shkresore është gjetur edhe një tjetër fletë format e datës 24 shtator 1998 me stampën e shoqërisë “ General Trading ” e nënshkruar nga i pandehuri Frederik Durda që i drejtohet z. Frederick Jacobsen, presidentit i firmës “Aerolinea Tampa ”, me një ofertë për blerje avioni në shumën 1.500.000 dollarë, si dhe një faks i datës 09 shkurt 1999 dërguar nga shoqëria “Aerolineas Tampa Cargo” për të pandehurin Frederik Durda, si zëvëndëspresident i shoqërisë “General Trading” në lidhje me blerjen e një avioni të tipit HK 3333, si dhe dokumentacioni përkatës që ka të bëjë me vendimin e regjistrimit si person juridik të shoqërisë “GENERAL TRADING”, thuhet në dosje.
Në dosje evidentohet:
“Kështu i pandehuri Frederik Durda pas sekuestrimit të anijes “ Privilegj” është nisur për në Kolumbi dhe pas bisedave me eksponentet kolumbianë të drogës (e themi këtë eksponentë të drogës, pasi pjesa më e madhe e këtyre shtetasve janë në procedura ligjore në shtetet ku kanë kryer veprimtarinë kriminale, ose ndaj tyre është nxjerrë vendimi i arrestit) është rënë dakort që për të bërë të mundur transportimin e lëndëve narkotike të përdorej rruga ajrore. Për këtë nga ana e grupit kolumbian të drogës, për organizatën shqiptare është filluar financimi për blerjen e një avioni të tipit “Antonov” me anë të të cilit do të bëhej e mundur transportimi i sasive të kokainës së destinuar për grupin shqiptar”.
Por sërish ndërkombëtarët kanë asistuar dhe plani ka dështuar. Por të dyshuarit në Shqipëri janë lënë të lirë edhe për pak muaj pas bllokimit të anijes “Privilege” dhe në fund gongu ka rënë për ta në 31 janar 2000, ku për secilin u vendos arrest me burg.
Çfarë gjeti policia kur arrestoi trafikantët shqiptarë?
Frederik Durda përveç mandate-arkëtimit nën emrin Aleko Papa ju sekuestruan fletë me stampën Bogota Plaza Hotel në të cilat ishin regjistruar numra telefoni me prefikse të shteteve të Amerikës Latine. Durda posedonte numrin e trafikantit me nofkën “PACHO” që shkurtimi i emrit Gutierres Sançes Nestor Manuel, shtetas kolumbian, eksponent në trafikimin e kokainës dhe që ka parë nga afër grupin me të cilin kolumbianët do të bashkëvepronin. Edhe pse ai këmbëguli gjatë procesit se Pacho kishte ardhur për turizëm në Shqipëri, provat folën kundër tij. Gjithashtu për vizitën dhe prezencën e numrit të Triana Mateus, me emrin tjetër Santiago Alfredo, por që nofkën e kishte Leo, Durda u justifikua se do të ishte mekanik i anijes me të cilën ai po bënte biznes, një version që ra poshtë nga dëshmia e Leos dhënë për drejtësinë italiane në vijim të megaprocesit.
Deklaratat për miliona dollarë
Deklaratat për dollarët e dhënë në emra të personave të ndryshëm që nga shtetas grekë deri tek i vëllai bindën prokurorinë se drejt shtetit grek ishin transferuar shuma valutë duke shmangur sistemin bankar, por ndërkohë pa justifikuar burimin e tyre. Sasia e përgjithshme e tyre u llogarit sipas shkresave ku shkruheshin edhe emrat e personave, në shumën e 6 milionë e 295 mijë dollarë. Por kjo sasi valute, e cila nuk u dokumentua për nga përmasat e biznesit të realizuar apo të pretenduar nga ana e të pandehurve në territorin shqiptar apo të huaj. Nga ana e të pandehurve nuk është paraqitur asnjë provë apo burim prove qoftë direkte, apo indirekte për të provuar burimin e kësaj valute dhe destinacionin e mbërritjes, përdorimit si dhe personave që ju adresohej. Ky fakt të shpie në arsyetimin logjik se këto para kanë rrjedhur dhe ricikluar nga veprimtaria e paligjshme e organizatës kriminale thotë në dosjen që gazeta Si zbardhi duke rikthyer edhe njëherë dosjen “KOKAINA”, një histori droge që vazhdon të ngelet një çështje suksesi.
Si u rekrutua policia
Prokuroria teksa sjell historikun në trafikun e kokainës të Durdës e Bërballës, që dyshohet se e kishin nisur katër vite para se të zbuloheshin, shton më tej përsa i përket përfshirjes së zyrtarëve policorë:
“Struktura e organizatës kriminale kishte filluar të merrte trajtë tjetër kur në përbërje të saj kishin filluar të merrnin pjesë persona me veshje dhe funksion shtetëror, të cilët i krijonin premisat e një mirëfunksionimi, qëndrueshmërie, stabiliteti dhe kohëzgjatje, siguri në vetvete për sipërmarrjet dhe veprimet që kryenin dhe që parashikonin të kryenin në të ardhmen. Tipare të tilla të veçanta kësaj organizate ia jepte bërja pjesë në të e të pandehurit Sokol Koçiu.
Në mënyrë direkte, apo indirekte i pandehuri Sokol Koçiu në sajë të njohjeve dhe miqësive të tij të vjetra me të pandehurit e mësipërm dhe në sajë të funksioneve të tij në organet drejtuese të policisë, si dhe më pas të funksionit të Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithëshme, duke keqpërdorur edhe njohjen dhe besimin që i është dhënë nga ana e eprorëve të tij, ka krijuar financuar, favorizuar dhe ndihmuar në krijimin e lehtësirave në këtë organizatë”.
Skafi i blerë 10 mijë dollarë
Skafi i quajtur “Sia” në fakt ishte pronë e ish-shefit të policisë Sokol Koçiu, pasi ai pretendoi se e kishte blerë në 1999 me vlerën e 10 mijë dollarëve. Por prokurori e vlërësoi dokumentin si fiktiv, jo vetëm pas komunikimit me Ministrinë e Brendshme malazeze, por edhe nga një dëshmitar italian.
Flaminio Gennaro: Skafi u soll në Shqipëri me porosi të kushëririt Erriko Rispoli dhe ju dorëzua në Portin e Durrësit Sokol Koçiut që u prezantua si shef policie. Por, më tej zyrtari i policisë ndihmoi bashkëpuntorët e tij për të marrë viza në ambasadën italiane madje duke i paraqitur ata si police, siç veproi me bashkëpunëtorin Din Gjonaj, apo me bashkëpuntorin tjetër Durda për të cilin ndërhyri sikur të ishte pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme. Në fakt gjatë procesit të zhvilluar në Tiranë, përmes lëtërporosisë Sokol Koçiu u përshkrua nga Leo si person i veshur me pushtet dhe si garanti për krijimin e lehtësirave në funksion të organizatës”./ Gazeta SI