Struktura e Posaçme AntiKorrupsion do të ngrihet brenda muajit nëntor të këtij viti. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas KLP-së, të gjitha hapat e propozuara nga Komisioni i Posaçëm për SPAK do të finalizohen brenda 30 ditëve.
Propozimi i cili ka marrë mbështetjen e shumicës së anetarëve është se KLP-ja do të bëjë emërimin e tetë prokurorëve në SPAK, duke filluar të plotësojë organikën e SPAK dhe menjëherë do të hapet gara për shprehjen interesi për drejtuesin e SPAK, e cila zgjat 5 ditë.
Propozimi është miratuar sot në KLP me 11 vota.
Një tjetër pikë e rëndësishme në propozimin e miratuar është edhe koordinimi që KLP duhet të ketë me Këshillin e Lartë Gjyqësor për ngritjen e Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion.
“Ekzistenca e njërit organ pa tjetrin, qoftë edhe disa orëshe mund të sjellë probleme”, thuhet në propozim.
Aktualisht për Strukturën e Posaçme Hetimore, janë pikëzuar vetëm 8 kandidatë të cilët kanë kaluar vetting-un, nga 22 kandidatë që ishin në total. Sipas Kushtetutës, ngritja e SPAK kërkon jo më pak se dhjetë prokurorë për të nisur punën me dosjet e para.
Për ngritjen e SPAK do të shfrytëzohet kuadri ligjor që parashikon ndërtimin e institucionit me tetë prokurorët të cilët kanë kaluar të dyja shkallët e vetting-ut, ndërsa dy të tjerët për të plotësuar dhjetëshen, të jenë prokurorë të përkohshëm ose të komanduar.