Prokuroria e Posaçme ka shtyrë me tre muaj hetimet për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, duke caktuar si afat të fundit datën 22 dhjetor.
Më pas, SPAK do të zbresë hetimet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për kalimin ose jo të dosjes për gjykim.
Ndaj Ahmetajt, janë ngritur akuza për kryerjen e tre veprave penale: “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, SPAK lëshoi urdhër-arrest për ish-zyrtarin e lartë dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar.
Më herët, ish-zëvendës kryeministri u mor si i pandehur nga SPAK për aferën me inceneratorin e Elbasanit.
Ahmetaj është nën hetim për procedimin penal 277/1 për veprat penale pastrim parash, korrupsion në gjashtë raste dhe fshehje pasurie.
Hetimi ndaj ish-zyrtarit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.