Sport Spalletti favorit për të marrë drejtimin e Italisë, por ka një problem

Spalletti favorit për të marrë drejtimin e Italisë, por ka një problem

Largimi i trajnerit Roberto Mancini nga Italia i kapi të gjithë në befasi. Kandidatët kryesorë për të zënë vendin e tij janë Luciano Spalletti dhe Antonio Conte. Për të zgjidhur çështjen e Spallettit me Napolin mund të ndërhyjë Federata Italiane e Futbollit.

Mancini ka thënë se ka dhënë dorëheqjen për arsye personale, por duket se ai joshet nga Arabia. Ky vendim i tij është konsideruar një absurditet nga opinioni sportiv italian, në një moment fare të papërshtatshëm për futbollin italian. Megjithatë, tashmë gjithçka është bërë fakt i kryer dhe Federata Italiane po kërkon trajnerin e ri.

Luciano Spalletti dhe Antonio Conte janë dy kandidatët kryesorë. Favorit është Spalletti, që taktikisht do të kishte vazhdimësi me 4-3-3-shin e Mancinit. Por ka një problem, që lidhet me klauzolën prej 3 milionë eurosh, që deri në janar e lidh trajnerin me Napolin. Presidenti i Federatës italiane gjithsesi shpreson ta zgjidhë këtë problem me presidentin e Napolit, De Laurentis.

Conte në anën tjetër do të sillte eksperiencën dhe karizmën, duke karikuar një grup lojtarësh që është trazuar disi nga rënia e fundit. Ai ka qenë më parë trajner i Italisë dhe është në dispozicion të kauzës ‘axurre’.