Politika Berisha dhe Meta prishën paktin e vitit 2000 për Himarën/ Paralajmërimi: Do...

Berisha dhe Meta prishën paktin e vitit 2000 për Himarën/ Paralajmërimi: Do ia shohim sherrin Belerit…

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se me zgjedhjen e Fredi Belerit për Himarën është tentuar kthimi i tensioneve të dikurshme.

Para një proteste të planifikuar në Himarë mbi mbajtjen e tij në burg, kreu i partisë së çamëve akuzoi se Beleri është një njeri i akuzuar për vrasje.

“…Kjo është bërë për të rikthyer tensionet e harruara në Himarë. Duhet shumë mirë se për më shumë se dhjetë vjetësh, Himara nuk ishte në hartën e tensioneve mes dy vendeve.

Himara nuk është një zonë minoritare. Prej shumë vitesh ishin harruar këto skena, dhe pikërisht këtu duhet theksuar fakti se rikthimi i Himarës në zonë me tensione nuk ka ardhur sot, por ka disa vite që janë rikthyer tensionet në Himarë. Beleri është personi që është akuzuar për maskrën e Peshkëpisë, ku janë vrarë dy ushtarakë, që sot janë dëshmorë të atdheut.

Dosja e Belerit është zhdukur në Gjykatën e Tiranë. Këtij njeriu sot i është pushuar çështje, sepse drejtësia e Greqisë nuk i përgjigjet SPAK dhe së dyti, sepse në mënyrë të paprecedentë, në arkivin e Gjykatës së Tiranë është zhdukur dosja.

SPAK duhet të fillojë hetimet për zhdukjen e dosjes së Belerit në arkivin e Gjykatës së Tiranës. Kjo nuk është e rastësishme dhe kjo është shumë e rëndë. Për këtë arsye është zgjedhur Beleri, për të rikthyer tensionet në Himarë”, tha Idrizi.

Kujtojmë se Fredi Beleri është kandiduar në emër të Bashkimit për Fitore, pra dyshes Berisha-Meta, të cilët kanë prishur kështu paktin e vitit 2000 mes partive shqiptare për moskandidimin në Himarë të asnjë figure me prirje filogreke. Beleri është dhe më shumë se kaq.

“Është personi i dënuar nga gjykata e Vlorës për cenim të simboleve kombëtare. Ai jo më kot, në momentin kur është kandidat, shfaqet me flamurin e Vorio Epirit, është njeriu që flet se shqiptarët e kanë prejardhjen nga Kaukazi, apo do luftojë për helenizmin në Himarë, apo siç thotë që duhet të lirohem se dua të mbrojë pronat greke.

Jo në mënyrë të rastësishme është zgjedhur me këtë profil. Kjo është bërë për të rikthyer konfliktet në Himarë. Këtij skenari, besoj për arsye të tjera se do ishte shumë e rëndë, iu bashkua edhe opozita shqiptare, e cila e kandidoi Belerin për kryebashkiak.

Nëse ne nuk reagojmë, ne do ia shohim sherrin rikthimit dhe tensioneve të paarsyeshëm dhe aspak racional në Himarë. Kjo protestë bëhet në kulmin e sezonit turistik, ku Shqipëria është bërë një atraksion dhe konkurruese edhe me vendet e rajonit”, arsyetoi Idrizi.