Nga Rexhep Qosja
Të dashur studentë,
I përkrah kërkesat tuaja,
E përkrah protestën tuaj.
Puna, politika, veprimtaria, krijimtaria e neve, baballarëve dhe nënave Tuaja, janë bërë e po bëhen për ju.
Jeta jonë ka kuptim, ka vlerë dhe mund të quhet etike vetëm në qoftë se i shërbejmë të mirës suaj, të sotmes dhe të ardhmes suaj.
Juve, dhe vetëm Juve, jua lëmë Vendin, Shtetin, Kulturën, Historinë tonë.
Të gjitha këto, Ju do t’i bëni më të mira, më të çmuara, më të dinjitetshme se ç’kemi arritur t’i bëjmë ne.
Ju ftoj të jeni të vetëdijshëm, të ndërgjegjshëm dhe nderues për përkushtimet tona.
Ju ftoj të mos e lejoni përdorimin e protestës suaj prej partive politike.
Mos lejoni që protesta juaj të përdoret kundër reformave evropianizuese tashmë duke u bërë në Shqipëri.
Ju ftoj të pranoni dialogun me Shtetin, që shumë e shumë më gjatë do të jetë Shteti i brezit Tuaj.
Dhe, ju ftoj të pranoni këtë dialog për tri arsye:
E para, për arsye se Qeveria në krye me Kryeministrin Edi Rama i ka pranuar kërkesat tuaja.
E dyta, për arsye se duke e pranuar dialogun ju do të dëshmoheni ata që duhet të jeni, ata që jeni: brezi që do të mirësojë, që do të pasurojë, që do të modernizojë demokracinë ende shumë të re në trojet tona. Mbroni kërkesat tuaja para shtetit në mënyrë demokratike!
Prej dialogut ju, ju jeni ata që do të përfitoni përvojën e duhur: përvojën në sajë të së cilës do të jeni në gjendje që prej shtetit dhe universiteteve autonome të kërkoni sendërtimin e plotë e të përhershëm të kërkesave tuaja.
E treta, për arsye se kërkesat tuaja duhet të fillojnë të sendërtohen prej çastit kur do të bëhet dialogu. E sendërtimin e tyre duhet ta fillojë, ta kryejë e ta institucionalizojë Shteti: Shteti me institucionet e tij e me universitetet autonome.
Mos e pritni tërheqjen e kryeministrit Edi Rama prej kërkesës së stërzgjatur për dialog: mos ia jepni këtë dhuratë të demokracisë, po merreni Ju, lartësojeni humanizmin tuaj, kulturën tuaj demokratike me të.
Dhe, ashtu forcojeni shpresën tonë, besimin tonë në Mendjen e pasardhësve tanë.
Uroj që kërkesat tuaja, vetëdija juaj, protesta juaj të ndikojë edhe në vëllezërit e motrat tuaja studentë në Kosovë, të cilët kanë hiç më pak arsye se Ju për të protestuar e për të kërkuar më shumë prej universiteteve e prej Shtetit.
Me nderime e me dashuri,
Juaji Rexhep QOSJA
Prishtinë, 16.12.2018