Mundësia e sa më shumë grave për të bërë karrierë në shkencë do të zgjidhte problemet më të mëdha në botë, thuhet në një komunikatë të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Paralelisht me porosinë se edukimi shkencor ndryshon botën, OKB publikoi disa të dhëna nga UNESCO të cilat flasin se 90 për qind e vendeve të ardhshme të punës do të kërkojnë ndonjë formë të aftësisë së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përfshirë aftësi të analizës së të dhënave, zhvillimin e një softueri, si dhe vizualizimin e të dhënave.
Megjithatë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë “jashtëzakonisht të nën-përfaqësuara në shkencë”, pasi të gjitha të dhënat tregojnë se më pak se një e treta e femrave gjatë arsimimit të lartë përzgjedhin lëndët shkollore STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë).
OKB-ja bën të ditur se nën 3 për qind e femrave zgjedhin lëndët e informatikës dhe teknologjisë së komunikimit (TIK).
Duke iu referuar raportit Hendeku Global Gjinor, i përpiluar nga Forumi Botëror Ekonomik, OKB thotë se vetëm 22 për qind e profesionistëve të inteligjencës artificiale në nivel botëror janë femra.