Të ikësh nga Facebook mund të jetë një vendim i mirë për mirëqenien emocionale, por ju mund të jeni më pak i informuar për ngjarjet aktuale. Ky është përfundimi i studiuesve të Universitetit të Nju Jorkut dhe Stanford University, të cilët hulumtuan se çfarë ndodh me njerëzit të çaktivizonin llogarinë e tyre. Studiuesit i paguanin njerëzit 102 dollarë në ditë për të mbyllur llogaritë e tyre në Facebook për katër javë me radhë.
Njerëzit pa Facebook kanë reflektuar gjendje emocionale më të mirë dhe më të lumtur njëkohësisht përgjatë kohës që nuk e përdorinin rrjetin social. Studimi zbuloi se subjektet ishin më pak të ndikuar politikisht por më pak të informuar për lajmet aktuale pasi ishin jashtë Facebook për një muaj. Njerëzit thanë se kishin rreth një orë më shumë kohë të lirë në ditë, ndërkohë që llogaritë e tyre nuk ishin më aktive dhe ata s’ishin pjesë e Facebook. Pasi studimi mbaroi, shumica zgjodhi të riaktivizonte llogaritë e tyre në Facebook, megjithëse e përdornin më pak rrjetin social.
Sipas Hunt Allcott, një profesor i asociuar në Universitetin e Nju Jorkut, i cili ishte një nga studiuesit e përfshirë në këtë hulumtim, pjesëmarrësit thanë se Facebook është i rëndësishëm për ta dhe përgjithësisht një gjë pozitive në jetën e tyre. Ata gjithashtu thanë se do të donin të paguheshin rreth 100 dollarë në muaj për të ndaluar përdorimin e faqes për katër javë. “Kjo përcakton shumë se sa e rëndësishme është”, tha Allcott. Të pyetur sesa para do të donin që të mbanin Facebook të çaktivizuar për katër javë pas përfundimit të studimit, njerëzit raportuan pak ndryshime nga shkalla fillestare. “Nëse Facebook do të ishte si heroina, ky numër do të kishte shkuar poshtë. Ky nuk ishte rasti për Facebook”, tha ai.
Qëllimi i studimit, thanë studiuesit ishte që t’i bënin njerëzit të vetëdijshëm sesi po përdorin rrjetet sociale. Në fakt, studimi gjithashtu gjeti se Facebook “prodhon përfitime të mëdha për përdoruesit e tij”, duke përfshirë edhe një burim argëtimi, një mënyrë për të qenë aktivë në komunitete dhe një vend për të krijuar shoqëri.
Por a ka një lidhje mes përdoruesve të Facebook dhe depresionit te njerëzit? Hulumtimet e mëparshme, thotë Allcott, ishin të përqendruara në faktin se njerëzit që përdorin më shumë rrjetin social Facebook, janë më të depresionuar, por problemi është se studimet nuk përcaktojnë shkakun. “Është e paqartë nëse Facebook i bën njerëzit të depresionuar, apo bëhen të tillë kur ikin prej aty”.
Studimi mbi efektet e Facebook doli në të njëjtën kohë kur rrjeti social njoftoi një fitim rekord prej $ 6.9 miliardë. Facebook u lançua në vitin 2004 dhe tani numëron më shumë se 2.3 miliardë përdorues mujorë në të gjithë globin.