Aktualitet ONM rekomandon shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova

ONM rekomandon shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova

Prokurori i karrierës Adnan Kosova, i cili punon aktualisht pranë prokurorisë së përgjithshme, e kaloi relativisht lehtë procesin e vetingut para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhjetorin e kaluar pasi arriti të bindë komisionerët për ligjshmërinë e pasurisë së tij, në veçanti një apartament në Tiranë dhe blerjen e një makine nga i vëllai në vitin 2000, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) duket se nuk është bindur dhe për rrjedhojë i rekomandoi të premten Komisionerëve Publikë të apelojnë vendimin e konfirmimit dhe të kërkojnë shkarkimin e tij nga detyra.

“Vëshguesit Ndërkombëtarë i rekomandojnë Komisionerëve Publik të apelojnë vendimin dhe të kërkojnë përmbysjen e tij,” thuhet në letrën e vëzhguesve.

“VËzhduesig besojnë se një vlerësim korrekt i provave të kësaj çështjeje dhe aplikimi korrekt i kuadrit ligjor duhet të sjellë shkarkimin e subjektit të rivlerësimit,” vijon më tej letra.

Sipas shpjegimeve të Kosovës, ai shiti një apartament të privatizuar në qytetin e Korçës dhe i përdori të ardhurat për të blerë një apartament në Tiranë dhe një makinë. Por problemi i Kosovës u shfaq nga fakti që kontrata për shitjen e apartamentit në Korçë i takon vitit 2003 dhe ka vlerën 1 milionë lekë. Nga ana tjetër, kostoja e blerjes së apartamentit në Tiranë ishte 19,600 USD ndërsa kostoja e blerjes së makinës ishte 1 milionë lekë. Kosova u përpoq të shpjegonte mospërputhjet duke paraqitur një deklaratë noteriale të nënshkruar në gusht 2018 nga blerësi, i cili deklaronte se i kishte dhënë paradhënie Kosovës në vitin 1998 1.5 milionë lekë pavarësisht se kontrata finale ishte bërë disa vjet më vonë kur ishin paguar edhe 1 milionë lekë të tjera.

Në lidhje me blerjen e makinës nga i vëllai, Kosova deklaroi se pagesa reale e tij ishte 400 mijë lekë pavarësisht se në kontratën noteriale shkruhej shifra prej 1 milionë lekësh.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 19 dhjetor, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jackobs u shpreh skeptik mbi vlerën si provë të deklaratës noteriale duke shpjeguar se ai e kishte parë tashmë shumë herë në Shqipëri gjatë çështjeve të subjekteve të rivlerësimit që kishte ndjekur, se si çdokush duket i gatshëm të deklarojë para një noteri çdo gjë që i kërkohet.

Në letrën e dërguar komisionerëve, ONM argumentoi më tutje problemin me blerjen e apartamentit duke sugjeruar se parapagimi nga blerësi për apartamentin në Korçë prej 1.5 milionë lekësh vështirë se mund të merret si shpjegim i pranueshëm. Misioni vëren se sipas variantit të treguar nga Kosova, një blerës ka pranuar pa një kontratë, të shlyejë 1.5 milionë lekë paradhënie për një apartament që e mori në dorëzim disa vite më vonë.

“Është tërësisht e palogjikshme të besosh se një parapagesë me vlerë 1.5 milionë lekë është bërë e bazuar në një kontratë inekzistente ose përndryshe të pavlershme – për më tepër kur aludohet se është bërë nga z. ***, i cili më 1998 ka qenë i ri,” shkruhet në letër. Sipas rregullave të procesit të vetingut, emrat e personave të tjerë që shfaqen gjatë hetimit administrativ, fshihen bashkë me të dhëna të tjera personale. Por konteksti i fjalisë së mësipërme sugjeron se vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë parë moshën e re të blerësit të apartamentit të Kosovës në Korçë si një arsye për të mos besuar shpjegimin publik të dhënë nga Kosova.

ONM vëren gjithashtu se mospërfshirja në kontratën finale të çmimit të plotë prej 2.5 milionë lekësh që Kosova thotë se ka marrë nga blerësi për apartamentin në Korçë mund të përbëjë një shmangie të detyrimeve fiskale dhe si e tillë, përbën cënim të imazhit të prokurorit.

“Kjo sjellje është e rëndësishme në vlerësimin e etikës së subjektit,” shkruhet në letër. ”

“Në këndvështrimin e ONM është e pamundur të konfirmosh një subjekt rivlerësimi në detyrë kur ai ofron shpjegime jologjike apo të pabesueshme në lidhje me burimin e një pjese të një aseti të deklaruar me synumin e procesit të rivlerësimit, gjë që, në opinionin e ONM, rezulton se është një deklaratë e falsifikuar e origjisë së shumës së thënë apo fshehje e saj,” shkruajnë vëzhguesit ndërkombëtarë në rekomandimin e apelimit të subjektit Adnan Kosova.