Kulturë Studiuesi italian: Himni i Fishtës, më i bukuri i shqiptarëve

Studiuesi italian: Himni i Fishtës, më i bukuri i shqiptarëve

Poema e Asdrenit për “Lirinë e Shqipërisë” vetëm pak muaj pas botimit në Bukuresht në prill të 1912-s, duket se do të miratohej përmes betimit të Ismail Qemalit si “Hymni i Flamurit” gjatë shpalljes së pavarësisë. Më shumë se një shekull larg prej atij 28 nëntori në Vlorë, “Rreth flamurit të përbashkuar”, mbetet himni ynë zyrtar, që sa i përket tekstit ka pësuar edhe ndryshime në periudha të veçanta,mirëpo historia shqiptare njeh edhe të tjera himne që sipas studiuesit italian Paolo Muner vlejnë të njihen. Bazuar në studimet e tij disa vjeçare, disa prej të cilëve të përmbledhura edhe në botimin “Jo vetëm ‘Hymni i Flamurit’”, Muner sjell për “TvT” disa detaje lidhur me himnin zyrtar, “Marshin” e ndaluar të Vaso Pashës, ndërsa veçon si më të bukurin e himneve tona, atë të Gjergj Fishtës.

Zoti Muner ju keni hulumtuar rreth himneve shqiptare ndër vite, kërkime të cilat i keni pasqyruar dhe në librin tuaj “Jo vetëm ‘Hymni i Flamurit’”. Cilat janë informacionet më interesante që mund të na thoni lidhur me ta?

Ekzistenca e disa prej himneve rreth të cilëve kam hulumtuar njihej edhe më parë, unë jam munduar të thellohem në detaje. Por ka disa, për të cilët nuk dihej thuajse asgjë. Pjesa më e madhe e punës sime kërkimore, që më ka marrë disa vite iu dedikua Himnit të Princit Vid (ose më saktë, një prej himneve të tij, pasi duket se ka pasur dy apo tre).

Cilat himne shqiptare janë interpretuar dhe në cilat momente historike?

Janë kënduar të gjithë, në periudha të ndryshme historike në të cilat si të themi janë “zyrtarizuar”. Por pyetja juaj më shtyn të flas për “Marshin e Lidhjes” (Lidhja e Prizrenit), e njohur më pas edhe si“Bashkimi i Shqipnisë”, nën tingujt e muzikës së mjeshtrit italian Giovanni Canale, dhe vargjet e Vaso Pashës, që u këndua për herë të parë në vitin 1880. Për motive të padokumentuara, por që mund të merren me mend,ky himn u ekzekutua më pas, në dy momente të rëndësishme historike, por vetëm në versionin orkestral:

10 qershor të vitit 1978 me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, “Marshi i Lidhjes” u ekzekutua nga Banda e Ushtrisë gjatë një manifestimi në sheshin “Skënderbe”.

U ekzekutua edhe në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë nga Orkestra Simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit nën dirigjimin e mjeshtrit Zhani Ciko.

Në të dyja rastet, teksti i Vaso Pashës është injoruar.

Po sa i përket “Hymnit të Flamurit Kombëtar” të At’ Gjergj Fishtës, çfarë mund të na thoni?

Mendoj se është himni më i bukur që shqiptarët kanë pasur, i shoqëruar me muzikën e Lec Kurtit, një muzikant i rafinuar (më pas diplomat), krijimtaria e të cilit u ndalua në diktaturë, sepse ishte pjesë e Ballit Kombëtar.

Ostracizmi ndaj tij, duket se vijon ende, kjo edhe për faktin se në kopertinën e një CD-je me Këngë Shqiptare Patriotike të publikuar së fundmi, autorësia e kësaj muzike i atribuohet një tjetër muzikanti.

Cili është ai detaj që ju ka tërhequr vëmendjen sa i përket himnit shqiptar të sotëm?

Ndonëse unë i jam dedikuar kryesisht himneve shqiptar që kanë lindur jashtë shtetit, e si pasojë më pak të njohur, kam zgjedhur që të vë në dukje një strofë specifike, e cila ka qenë e ndaluar në diktaturë, përgjatë viteve të gjatë të ateizmit shtetëror. Ajo është: “Se Zoti vetë e tha me gojë,/Që kombe shuhen përmbi dhé,/Po Shqipëria do të rrojë,/Për të, për të luftojmë ne.