Mesa duket personazhi i filmit Popeye, nuk ka qenë kot i njohur për konsumimin e pafundmë të spinaqit, pasi kjo barishte e bënte atë më të fuqishëm.
Kërkimet shkencore tashmë tregojnë se ky film vizatimor, ka pasur diçka të drejtë.
Një studim i publikuar nga Universiteti “Freier” në Berlin tregon se një substancë e cila gjendet tek perimet e gjelbërta, por kryesisht tek spinaqi, ka një efekt të ngjashëm me steroidet sintetike që krijohen në kushte laboratorike nga kimistët dhe përgjithësisht përdoren nga praktikuesit e palestrave, kështu që duhet të shtohet në listën e substancave të ndaluara në sport. Bëhet fjalë për ecdysterone, e cila është një substancë që jep forcë të menjëhershme. Përdorimi i substancave, të quajtura si doping nga ana e sportistëve është e ndaluar nga çdo federatë. Duke nisur nga ky fakt, disa ushqime përjashtohen nga dieta ditore e sportistëve, pasi fibrat dhe vlerat ushqyese të tyre mund të stimulojnë forcën e tyre në garë.
Hulumtuesit zhvilluan një studim ku morën pjesë 46 atletë të cilët u trajnuan tre herë në javë për 10 javë. Disa u dhanë ecdysterone dhe të tjerë një placebo, (një medikament që mendohej se përmbante substancën ecdysterone, por që në të vërtetë nuk e kishte). Tek ata që morën ecdysterone u pa një performancë e madhe, thuajse tre herë më shumë se ata që nuk e kishin.
“Ne pamë një performancë maksimale në grupin që mori një sasi të vogël të substancës,” tha Maria Parr, një studiuese e dopingut në Institutin e Farmacisë, po në universitetin “Freier”.
Gjithashtu hulumtuesit janë shprehur se nuk prisnin të shihnin ndonjë ndikim në përformancën e sportistëve, por ishin habitur nga rezultatet. Studimi u financua nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) dhe studiuesit rekomandojnë që spinaqi të përfshihet në listën e ushqimeve të ndaluara nga agjencia. Francesco Botrè, autori i studimit dhe drejtor i agjencisë italiane anti-doping (FMSI), tha se ekipi po përpiqet të gjejë, edhe mënyrat se si mund të testohet niveli i kësaj substance edhe në trupin e njeriut. Sipas tij kjo substancë është shumë e fuqishme edhe për faktin se shpesh herë është e padukshme, pasi mund të jetë edhe në shumë ushqime të tjera, të cilat nuk janë ekzaminuar. Ndër të tjera ai shtoi se, çdo vendim për të ndaluar përdorimin e spinaqit, apo çdo ushqimi tjetër që përmban këtë substancë do të bëhet nga një komitet i posaçëm nga ekspertët e WADA.
Agjencia ka qenë e përfshirë kohët e fundit në diskutime për rivendosjen e agjencisë anti-doping në Rusi, që prej shtatorit të 2018-ës, pasi ajo u pezullua në vitin 2015 pas akuzave të shumta se shumë ushqime apo substanca doping, ishin sponsorizuar nga shteti për sportistët në mënyrë që të dilnin sa më mirë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Një nga kushtet e këtij vendimi “RUSADA” agjencia anti-doping ruse, duhej të dorëzonte të dhënat nga laboratori i saj në Moskë, për sa i përket ushqimeve që nuk duhet të padorin sportistët, deri më 31 dhjetor 2018, por agjencia e humbi këtë afat dhe akuzoi WADA-n se ishte duke “luajtur me rusët”.