Presidenti Ilir Meta dhe opozita e vendit kanë intensifikuar sulmin e tyre ndaj reformës në drejtësi duke u përpjekur për ta deligjitimuar.
Ndërkohë, në ditën e festës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ish kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka zgjedhur që përpos urimit simbolik, të përcjellë edhe një mesazh për kreun e shtetit.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Xhafaj shkruan se SHBA është garancia kyçe që e ka bërë reformën të pathyeshme.
“Sot, më #4korrik, është dita për t’i shprehur mirënjohjen për gjithçka ka bërë në vite për vendin e popullin tonë!
Momenti për t’i falenderuar për mbështetjen e jashtëzakonshme në hartimin e Ref në Drejtësi dhe zbatimit të saj, si garanci kyçe për ta bërë atë të pakthyeshme”, shkruan ish ministri në Twitter.
Ndërkohë, Xhafaj shpreh edhe mirënjohjen për bashkëpunëtorët të cilët kontribuan për implementimin e reformës.
“I shpreh mirënjohjen e veçantë të gjithë atyre miqve e kolegëve amerikanë, në Uashington dhe në Tiranë, me të cilët kam pasur mundësinë të bashkëpunoj fort ndër vite, për forcimin e zbatimit të ligjit e shtetit të së drejtës dhe veçanërisht për Reformën në Drejtësi”, nënvizon Xhafaj.