Irani ka filluar sulmin mbi shtetin e Izraelit duke hedhur qindra dronë shpërthyes dhe raketa. Sulmi i drejtpërdrejtë mbi territorin e Izraelit ishte paralajmëruar nga Irani disa ditë më parë, si një hakmarrje ndaj goditjes së konsullatës Iraniane në Damask, në të cilën mbeti i vrarë edhe një gjeneral i rëndësishëm i Gardës Revolucionare të Iranit. Sirenat e luftës u dëgjuan në të gjithë Izraelin duke krijuar frikë te banorët vendas.
Autoritetet thanë se një vajzë 7-vjeçare është plagosur rëndë. Forcat izraelite dhe ato aleate arritën të rrëzonin “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi pas sulmit se Izraeli arriti të neutralizonte raketat e Iranit.
Sakaq, presidenti i SHBA Joe Biden, foli me telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por burime për CNN bëjnë me dije se Biden ka paralajmëruar Netanyahun për të mos kryer asnjë kundërpërgjigje ndaj Iranit. Biden i ka bërë të ditur Netanyahut se SHBA nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion sulmues kundër Iranit.
Udhëheqësit e BE-së dënuan sulmin hakmarrës nga Irani ndaj Izraelit, mes frikës në rritje për një përshkallëzim të madh në konfliktin në Lindjen e Mesme. Hapësira ajrore izraelite u rihap në orën 7:30 me orën lokale të së dielës. Kjo u bë e ditur nga Autoriteti i Aeroportit të Izraelit, duke shpjeguar se orari i fluturimeve në aeroportin Ben-Gurion do të ndryshojë shpesh herë.
Nga ana e tij, Irani e ka quajtur misionin e përmbushur duke e cilësuar një çështje të përfunduar. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se sulmi ndaj Izraelit “mund të konsiderohet i realizuar”. Iranianët u mblodhën në kryeqytetin e Teheranit për të mbështetur sulmet ndaj Izraelit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent lidhur me sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit, tha presidenti i këtij institucioni.