Sport Superfuqi dhe tre blerje, kështu u bind Zidane për t’u kthyer në...

Superfuqi dhe tre blerje, kështu u bind Zidane për t’u kthyer në Madrid

Është rikthimi më i bujshëm i këtij viti dhe të gjithë janë befasuar. Zinedin Zidane do të jetë në stolin e Real Madrid sërish, duke filluar nga ndeshja e radhës në kampionat dhe në Madrid janë gati për një rezolucion të vërtetë.

“Kur të telefonon Real Madrid është e vështirë që ta refuzosh”, kështu deklaroi Zidane në konferencën e prezantimit të rikthimit në stolin e “Los Blancos”. Në fakt në asnjë moment nuk kishte pasur dyshime për dashurinë e madhe që ekziston mes teknikut francez dhe klubit spanjoll, pasi lidhja mes tyre është shumë e fortë që nga koha kur ai ishte futbollist. Por që nga muaji maj i vitit të shkuar, e deri në marsin e 2019-ës ka pasur disa zhvillime. Skualifikimi nga Champions, Kupa e Mbretit dhe jashtë luftës për titullin kampion në La Liga e detyruan presidentin e Realit, Florentino Perez që të marrë një vendim drastik. Skuadra “Los Blancos” do duhet t’i nënshtrohet një revolucioni total dhe këtë herë Zidan do të jetë i gjithëpushtetshmi. Ndryshe nga hera e parë, kur nuk ishin të pakta rastet, që Zidane nuk pyetej për vendimet e klubit, këtë herë historia është totalisht ndryshe. Zidane do të ketë fuqi më të madhe në marrjen e vendimeve sa i përket blerjeve apo shitjeve të lojtarëve, duke u bazuar gjithmonë në preferencat e tij.

Real Madrid pas vitit 2001, kur filloi ndërtimin e “Los Galactios” edhe në vitin 2008 provoi që të bënte një revolucion total, me disa goditje të rëndësishme në merkato, si Ronaldo, Kaka apo Benzema. E njëjta gjë do të tentohet edhe verën e kësaj merkato, ku nga Real Madrid priten disa largime të bujshme dhe afrime të disa prej ‘yjeve’ më të mëdhenj të futbollit botëror. Në listën e daljes, të parët që presin të përshëndeten me “Bernabeun” janë Bale, Kejlor Navas, Marselo apo edhe Modric. Këta emra nuk shikohen më si pjesë e projektit të ri që Zidan do të fillojë në Madrid, duke tentuar ta ringrejë klubin mbretëror në nivelet, ku e la verën e shkuar. Ndërsa kur flitet për afrimet e Real Madrid, emrat janë të shumtë. Do të jenë minimalisht tre afrime të mëdha, ku Zidane do të bazojë projektin e tij të ri. Për mesfushën, Reali ka kohë që monitoron, francezin Pogba, por edhe Marko Verratin e PSG. Në mbrojtje objektivi madhor quhet Matijas de Lajt i Ajaksit, ku “Los Blancos” do duhet të mposhtin konkurrencën e fortë të Barcelonës dhe Juventusit. Ndërsa për sulmin e Real Madrid janë shumë emrat që mund të vihen në qendër të vëmendjes së drejtuesve madrilen. Kilian Mbape, Eden Hazard, Mauro Ikardi, Herri Kejn, janë vetëm disa nga sulmuesit më të mirë në botë, që në verën e ardhshme mund të zgjedhin që ta vazhdojnë karrierën e tyre në kryeqytetin spanjoll me fanellën e bardhë.