Bota Supremacistët e bardhë kishin plan ta përdorin koronavirusin si armë

Supremacistët e bardhë kishin plan ta përdorin koronavirusin si armë

Ndërsa bota ende nuk e kishte kuptuar rrezikun e koronavirusit, supremacistët e bardhë kishin plan ta përdorin si armë

Supremacistët e bardhë në SHBA kanë menduar ta përdorin koronavirusin si armë. Plani i tyre është zbuluar nga agjencitë e inteligjencës në shkurt të këtij viti.

Hetuesit federalë e kanë zbuluar një komplot të tillë gjatë monitorimit të komunikimeve të nacionalistëve të bardhë në Telegram, një aplikacion i mesazheve të koduara që përdoret nga neo-nazistët. Sipas asaj që thuhej në biseda, në shënjestër do të ishin agjentët e zbatimit të ligjit dhe njerëzit “jo të bardhë”, ndërsa sulmet do të kryheshin në mënyrë të tillë që t’i infektonin ata me koronavirus.

“Ekstremistët e dhunshëm vazhdojnë ta shohin bioterrorizmin si opsion”, thuhen në një raportim përmbledhës për periudhën 17-21 shkurt, të hartuar nga Shërbimi Federal Mbrojtës. “Ekstremistët e bardhë që kryejnë akte të dhunshme mbi baza racore kohët e fundit e kanë komentuar koronavirusin duke deklaruar se është një “Detyrim” për ta përhapur atë nëse ndonjë prej tyre e merr këtë virus”.

Koha kur ka ndodhur ky komunikim, të cilin e zbardh raporti, tregon nacionalistët e bardhë e kishin marrë seriozisht kërcënimin e koronavirusit në një kohë kur disa në qeveri ende po e minimizonin kërcënimin e epidemisë. Më 26 shkurt, presidenti Trump tha se ai priste që rastet të binin në zero në Shtetet e Bashkuara brenda “dy ditësh”. “Washington Post” raportoi të premten se agjencitë e inteligjencës kanë dhënë paralajmërime “ogurzeza” për virusin që në janar dhe shkurt.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme nuk ka dhënë komente në lidhje me këtë.

Sipas informacionit të shkurtër të Shërbimit Federal, diskutimi për përhapjen e koronavirusit është bërë në aplikacionin Telegram, në një kanal që i kushtohet filozofive të “kulturës së rrethimit” të autorit neo-nazist, James Mason dhe “përshpejtimit”. Në vitet ’80, Mason ka bërë një seri shkrimesh me titull “Rrethimi”. Në to mbrohen veprime të terrorizmit mbi baza racore, me qëllim nxitjen e një lufte që do të shkaktonte kolapsin e shoqërisë.

Vitet e fundit, shkrimet e Masonit gjetën mbështetje te anëtarët e grupit të dhunshëm neo-nazist Atomwaffen Division dhe degët e tij. Mason është e pamundut të kontaktohet nga mediat. Një numër gjithnjë e më i madh supremacistësh të bardhë kanë shprehur interes për “Përshpejtimin”, një manifest që mbron sulmet ekstremiste që kanë për qëllim provokimin e një konflikti më të madh shoqëror.