Dy ditë pas shpalljes fajtor për shpërdorim detyre dhe rrëzimit të akuzave për grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në një dalje për mediat se ai heshti për dy vite përballë akuzave, për të respektuar drejtësinë.
“Heshta i bindur dhe në respekt të drejtësisë. E lashë mandatin e deputetit vullnetarisht. E kisha kollaj ta mbaja. Fundja siç kanë bërë ata të tjerët para pa asnjë përjashtim.
Unë bëra të kundërtën, lashë mandatin e deputetit. Edhe pse vetëm drejtësi për mua nuk do kishte. Ku radha e servilëve dhe shushunjave vetëm shtohet e shtohet. Por unë qëndrova të përballesha me akuzat si njeri i thjeshtë, përballë të gjithë atyre që ishin kundër meje që nga dita e parë në politikë. Sepse burri njihet nga armiqtë që ka”.
“Më akuzuan pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, për trafik droge, më akuzuan se fitoja 5 milionë euro në muaj. Se harxhoja 20 milionë euro për fushatë. Fati im ishte se Gjykata italiane hetoi dhe gjykoi, duke thënë se Tahiri nuk ka lidhje me akuzat. Edhe Gjykata shqiptare tha se nuk kam lidhje me akuzat e trafikut të drogës, grupin kriminal”, shtoi ish-ministri.
“Ky ishte një gjysmë lajmi mirë, nuk është drejtësi e plotë. Beteja për të vërtetën time ka plot rrugë përpara. Me aq sa dëgjova në sallë u shpalla fajtor për shpërdorim detyre sepse ca kushërinj të mi kishin përmendur emrin tim dhe sepse nuk kisha luftuar kanabisin aq sa duhet si ministër i Brendshëm. Pres të lexoj vendimin e zbardhur, për të parë se cilin ligj kam shkelur”, shtoi Tahiri. “Por do ta ankimoj sapo të zbardhet. Drejtësinë e kam pritur dy vjet dhe ende nuk është bërë siç duhet. Po aq sa rezultati i kësaj beteje, më intereson edhe mënyra se si arrihet ajo. Do të vazhdoj këtë betejë, në këtë vend që duket sikur përfiton më shumë servili që i përkulet shefit deri tek këpucët”.