Kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka vendosur ende se sa do të jetë numri minimal i prokurorëve që do bëjnë funksionale SPAK-un, përsa kohë vettingu nuk ka vendosur ende për pesë nga kandidatët , ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tregon mbështetjen e qeverisë për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Këshilli i Ministrave së fundmi ka miratuar buxhetin fillestar të SPAK-ut dhe fondet e nevojshme për përshtatjen e zyrave të tyre të punës, me qëllim që me ngritjen e tyre të kenë në dispozicion çdo burim financiar dhe njerëzor, të nevojshëm për të luftuar pa kompromis, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, deklaroi Gjonaj.
Ministrja theksoi se reforma do të thyejë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe se modeli i saj pritet të kopjohet edhe në rajon. Deklarata u bë në godinën e polit të drejtësisë, para studentëve të magjistraturës që do zëvendësojnë të shkarkuarit nga vettingu.