Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, anuloi takimin e parashikuar me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç në Beograd, pasi ai më herët kishte pritur ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, një personazh ky i prekur nga sanksionet e perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.
Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vuçeviç u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur von der Leyen po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria serbe tha se Vuçeviç dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.
Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.
Reshetnikov tha se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, sipas njoftimit.