Bota “Tani mund të vdes në paqe”, 92-vjeçarja takohet me familjen hebreje që...

“Tani mund të vdes në paqe”, 92-vjeçarja takohet me familjen hebreje që shpëtoi nga nazistët

40 pasardhësit e një familje hebreje, u përkulën një nga një dhe përqafuan me radhë gruan e moshuar greke, e cila i kishte shpëtuar nga vdekja më shumë se 75 vjet më parë; duke i fshehur, ushqyer dhe mbrojtur… E ulur në karrocë, duke fshirë lotët dhe duke tundur fytyrën e saj të rrudhur, teksa u shtrëngonte duart atyre që i detyroheshin jetën, Melpomeni Dina tha se tani ajo mund të vdiste e qetë.

Një grua greke 92-vjeçare është takuar (ndoshta për herë të fundit) me familjen hebreje që i shpëtoi nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Melpomeni Dina ishte adoleshente kur kreu gjestin e jashtëzakonshëm të fshehjes së gjashtë anëtarëve të familjes Mordechai dhe i ndihmoi ata të iknin nga vendi.

Ribashkimi mes lotëve dhe emocioneve u bë në muzeun përkujtimor të Holokaustit në Jeruzalem, teksa të mbijetuarit Sarah Yanai dhe Yossi Mor sollën në event edhe 20 nipërit dhe mbesat e tyre, që e takuan të moshuarën njëri pas tjetrit.

“Tani mund të vdes e qetë”, tha 92-vjeçarja e emocionuar.

Ngjarje të tilla kanë qenë shumë të zakonshme në këtë muze, por për shkak të viteve, kjo ka shumë gjasa të jetë e fundit në llojin e saj.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar këtë ndjenjë”, tha Sarah Yanai, 86, që është dhe pjesëtarja më e moshuar e familjes prej anëtarësh që Dina i shpëtoi.

“Ishte shumë emocionuese për ne, të ishim përsëri bashkë. Ne ishim të fshehur në shtëpinë e saj. Ajo shpëtoi të gjithë familjen time. Gjashtë persona. Nuk mund ta imagjinoni sesa e rrezikshme ishte për të, për familjen e saj, të na mbante të gjithëve. Ata shpëtuan jetën tonë”, tha Yanai.

Gjermania naziste pushtoi Greqinë në vitet 1941-1944 dhe shumica e popullsisë hebraike greke, rreth 80,000 persona vdiqën si rezultat i përndjekjes naziste.

Shumë prej tyre vdiqën në kampin e vdekjes në Aushvic, Birkenau.

Gjatë pushtimit gjerman, Dina dhe dy motrat e saj e fshehën familjen Mordechais në një xhami të braktisur para se t’i transferonin në shtëpinë e tyre të vogël ku gjërat ishin shumë më të rrezikshme.

Motrat madje çuan një nga fëmijët, 6-vjeçarin Shmuel, në spital kur ai u sëmur rëndë, megjithëse rrezikonin t’i zbulonin. Ai vdiq disa ditë më vonë në spital.

Vendndodhja e familjes u kompromentua dhe motrat i ndihmuan të iknin në drejtime të ndryshme anëtarët e familjes për të mos u zbuluar. Ata mbijetuan, u ribashkuan pas luftës dhe u nisën për në Izrael.

Duke shtrënguar duart e atyre që fshehu, i ushqeu dhe i mbrojti si adoleshente më shumë se 75 vite më parë, 92-vjeçarja Melpomeni Dina tha se tani ajo mund të vdiste në paqe.