Referuar kontratës koncesionare, rreth 40 euro është mesatarja e tarifave, që paguan një pasagjer që përdor Aeroportin “Nënë Tereza”, për çdo udhëtim me avion.
Plot 10 euro për person janë taksë kalimi, që i shkon buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 30 eurosh është e ardhur për koncesionarin, i cili ka hyrë në vitin e 15 të përdorimit.
Një biznes, që siç rezulton nga auditimi që i është bërë kontratës koncesionare për të gjithë jetëgjatësinë, nga “BDO Albania” për llogari të Qeverisë, ka rezultuar me fitime shumë më të larta sesa ishte parashikuar në skenarin fillestar.
Shuma mesatare 40 euro për çdo biletë udhëtimi duket larg shërbimeve që marrin pasagjerët. Kjo, duke marrë parasysh taksat që paguhen për të njëjtat shërbime në aeroportet e tjera të rajonit, apo me ato që kanë lidhje ditore me Rinasin.
Por, ndërkohë që të ardhurat në këtë aeroport janë të larta, shërbimi i dhënë ndaj pasagjerëve që lëvizin atje nuk ka pësuar përmirësim. Në këtë aeroport, në një vit lëvizin më shumë se 2.9 milionë pasagjerë, por në ambientet e tij, ndërtuar vite më parë, mungojnë ambientet e ngjashme me një aeroport tjetër europian. Ngrohja nuk funksionon gjithmonë, ndërsa pasagjerët duhet të presin në këtë mënyrë për t’u larguar nga aeroporti.
Gjithsesi, auditimi i bërë i jep mundësi qeverisë shqiptare që të kërkojë negociata me koncesionarin, për të kërkuar kompesim për fitimet e realizuara përtej parashikimeve fillestare. Tani mbetet për t’u parë nëse palët do të bien dakord, e nëse kompesimi do të çojë në uljen e tarifave aeroportuale, për rrjedhojë edhe të çmimit të biletave për qytetarët.