Nga Entela Resuli
Atij i duket se motorin e ka pjesë të trupit. Nuk e ndan dot nga dora apo nga këmba. Për të është e njëjta gjë. Ata që janë të pasionuar pas motorëve e njohin e njohin dhe ia dinë kokën!. Ai është tmerri i garuesve sa herë që zhvillohen konkurrime në disiplinën e motoçiklizmit.
Që nga viti 2008 e deri në sot ka marr pjesë 27 herë në gara dhe nga këto 24 herë ka zënë vendin e parë në Super Moto .
Anastas Lici është 30 vjeç. Djali nga Kombinati është duke u përgatitur për garën e radhës, të cilën, me modesti thotë se shpreson ta fitoji.
Por kush është ky kampion absolut në garat me motor në vendin tonë. Ne e takuam Anastasin për ta njohur më shumë atë.
Në Tiranë ai lëviz gjithë kohës me motor dhe mbaron punë shumë shpejt, pasi Anastasi nuk është vetëm një sportist. Ai punon në biznesin e familjes që është gjithashtu e lidhur me mjetin e preferuar, në një servis motorësh.
Teksa nis bisedën me ne, hedh sytë herë pas here nga motori, sikur të ishte qenie e gjallë. I shkëlqejnë sytë kur nis e tregon për fillimet e para. Marrëdhënia e tij me këtë mjet nuk është thjeshtë mekanike dhe interesi, por duket se është më tepër se kaq, është shpirtërore.
Anastasi nuk është rastësisht i dashuruar me motorin. Babai i tij gjithashtu e ka dashur shumë këtë mjet dhe pasion të cilin ia ka trashëguar edhe të birit.
“Kam hipur në motor që fëmijë. Babai më merrte me vete. A kam ndjerë erën e lirisë që më jepte ky mjet kur nuk më arrinin ende këmbët në pedale”.
Sigurisht motori i tij i parë personal ka qenë prej lodre, por shumë shpejt, do provonte t’i jepte vetë mjetit me dy rrota edhe ku familjarët refuzonin t’ia mësonin.
“Isha adoleshent, merrja motorin e babit dhe dilja fshehur nga shtëpia, pasi prindërit ishin në merak. Deri sa u rrita edhe pak, me kohën ata krijuan besim, nuk e kisha më problem”.
Motori i parë personal i tij ka qenë një “Honda Chaly” shumë i mirë për kohën dhe Anastasi tregon se e ka shijuar shumë. Më pas, duke e ndihmuar edhe fakti që kishte një servis enkas për motor, ka provuar shumë marka.
Garat
Për herë të parë në garë ka marr pjesë në vitin 2008 ku ka dal i dyti. Rruga ka qenë ngjitja e Petrelës me kthesat e saj të vështira. Herën e parë fiton vendin e dytë, rezultat jo i keq për Licin.
Garat i japin një emocion të madh. “Kur kam garë, një ditë më përpara nuk më zë gjumi. Jam i shqetësua. Nuk rri dot me një vend. Kontrolloj motorin, i bëj servis. Merrem me veshjet e mia të cilat gjithashtu i konsideroj të rëndësishme. Ditët para garës janë ditët me të stresuar të jetës sime. E përjetoi shumë’- tregon 30- vjeçari për emocionet plot drithërim që i jep konkurrimi.
Tregon se është më i mirë në garat që bëhen në rrugë të shtruara dhe jo ato në terrene të vështira. “Ndihem më i sigurt në asfalt,”–thotë Lici.
24 herë kampion për Anasasin? “Është kënaqësi e madhe. Më ndodh shpesh që kur arrij në vijën e finishit, të tjerët as mos t’i shoh nga pas, aq përpara mund të jem”- tregon kampioni.
Sipas tij sekreti është të përqendrimi.
“Kur udhëtoj përqendrohem. Kontrolloi çdo gjë dhe nuk bëj gabime. Di ku ulët shpejtësia, ku ngrihet, ku janë pikat e rrezikut. Kontrolli që kam mbi mjetin, mendoj se me bënë fitimtar”- shprehet Anastasi, 24 herë kampion në Super Moto.
300 km në orë!
Ai nuk ka frikë sepse e zotëron mjetin edhe në shpejtësi të pa imagjinueshme, që askush nuk duhet t’i provojë. “Shpejtësia më e madhe që kam provuar është 300 km në orë dhe më besoni, nuk e ndjen fare. Motori është pjesë e trupit tim dhe unë nuk e kam fare të vështirë ta kontrollojë as në këtë lloj shpejtësie. Sigurisht këtë gjë nuk duhet ta marr veshë mami im, edhe pse shpesh e imagjinon se çfarë i bëj unë motorit. Madje mamit nuk i tregoi as kur kam gara, vetëm kur merr vesh që kam dal kampion më thotë: ua, përsëri kampion ti, hiq dorë,”- tregon Anastasi.
Pas kaq vitesh i shoqëruar nga ky mjet, e ëma e Anastasit duket se ka bërë paqe, duke besuar në aftësitë e djalit e djalit të saj. Aksidentet tek ai kanë qenë të vogla dhe të papërfillshme
Për të motori është mbi të gjitha edhe anti-stres.
“Nëse jam i lodhur, dhe dua të qetësohem bëj një rrugë të gjatë me motor. Efekti që marrë është terapia më e mirë që mund t’i bëj dhuratë vetes”.
Ai ka lëvizur në të gjithë Shqipërinë me mjetin e tij me dy rrota. Por rruga më e gjatë jashtë vendit është deri në… Barcelonë, duke e konsideruar këtë udhëtim si një super eksperiencë.
Lici ka edhe makinë, por nuk e ndërron asnjëherë me motorin. E kundërta është vëllai i tij, i cili është tre vite më i vogël se kampioni dhe as nuk ia hedh sytë motorit. 30-vjeçari nuk përfiton asgjë nga ky sport, përveç kënaqësisë që të jep fitorja. Anastas Lici mezi po pret garën e radhës, të shohim nëse do të marri kupën e 25!