Kryetari i Lega-s, Salvini do që të dështojë qeveria e koalicionit në Romë. Nëse radikali i djathtë fiton zgjedhjet, ai do t’i krijojë telashe BE-së, sepse sipas Salvinit për gjithçka fajin e ka Brukseli.
Ministri i Brendshëm italian dhe kryetari i Lega-s së djathtë, Matteo Salvini i dha fund që nga plazhi koalicionit me lëvizjen Pesë Yjet. Salvini bën pushime që prej 14 ditësh në bregdet, shkon me torsin e zhveshur nëpër baret e plazhit, poston fotografi me cocktail në dorë me kërcimtaret Go-Go me rroba banje me dizenjo leopardi dhe shfaqet si Discjockey. Këto fotografi ai i përhap në rrjetet sociale, mbrëmjeve Salvini organizon veprimtari elektorale në sheshe. Së fundi në Pescara ai nuk duroi më. Kërkoi zgjedhje të reja dhe shpalli, se “dua të bëhem kryeministër.” Me “ata që thonë jo” të pesë Yjeve nuk dua të kem të bëj më. Më duhet të jem i lirë për të arritur objektivat, tha ai. Italianëve u pëlqen stili i çlirët dhe popullor i ministrit të Brendshëm, i cili e ka kthyer në një hit të luftës elektorale mbrojtjen prej migrantëve.
Salvini në epërsi
Matteo Salvini pas fitores së zgjedhjeve europiane në maj si dhe disa zgjedhjeve rajonale ndihet i fortë për të guxuar kalimin e partisë radikale Lega në Palazzo Chigi, selia e kryeministrit në Romë. E pazakontë është që kriza qeveritare shpërthen në mes të gushtit, sezonin kryesor të pushimeve në Itali. Në fakt italianët janë të ambientuar me krizat qeveritare. Ky vend po lëviz tani drejt qeverisë së 66 pas Luftës së Dytë Botërore.
Me 14 muaj qeverisje koalicioni i të djathtëve dhe populistëve të majtë konsiderohet si një ndër më jetëgjatët në Itali. Kryeministri pa parti Guiseppe Conte ndihet i anashkaluar. Profesori, i cili asnjëherë më parë nuk ka pasur post politik dhe mori rolin e spirancës për këtë koalicion të përçarë, shprehet me indinjatë: “Nuk është kompetencë e ministrit të Brendshëm t’i japë fund qeverisë dhe t’i diktojë parlamentit, se si duhet të veprojë.”
Koalicionet e mundshme
Conte do të shtrojë në parlament, që tani ndodhet në pushimet e verës, çështjen e votëbesimit. Për t’i dhënë një patericë kryeministrit, Lega e Salvinit ka deklaruar, se do të kërkojë votëbesimin. Pas kësaj deputetët e Pesë Yjeve dhe Lega duhet të pozicionohen qartë. Megjithatë kjo procedurë ka një kosto të lartë, sepse deputetët duhet të ndërpresin pushimet dhe të kthehen enkas në Romë. Për këtë Salvini ka moton: “Ata duhet të lëvizin nga vendi për të ardhur këtu.”
Nëse Giuseppe Conte nuk merr shumicën, presidenti Sergio Mattarella mund të mandatojë një tjetër politikan që të krijojë mazhorancën qeveritare. Nëse kjo lëvizje dështon, Mattarella mund të angazhojë një qeveri teknike, që ta qeverisë Italinë deri në vjeshtë. Kreu i shtetit, që më parë ka lënë të nënkuptohet, se nuk i preferon populistët e kalibrit të Salvinit, mund ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Zgjedhjet mund të zhvillohen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, por edhe në fund të vitit.
Në sondazhe Matteo Salvini me Legan radikale të djathtë arrin të ketë një mbështetje prej 36%. Pesë Yjet, themeluar e drejtuar prej humoristit Luigi Di Maio, kanë rënë në vendin e tretë. Në zgjedhjet e vitit 2018 kjo parti ishte më e forta. Salvinit për qeverisje i duhej mbështetja e “Fratelli d’Italia”, që sipas normave gjermane mund të klasifikohet si parti fashiste apo neonaziste. Nuk përjashtohet as një koalicion me “Forza Italia” të Silvio Berlusconit. Ish-kryeministri mund të dalë si mbështetës i kryeministrit të ardhshëm. Por ka edhe mundësi që ai të jetë vet kandidati kryesor i partisë së tij nacional-konservatore.
Shqetësim për Italinë
Nga këndvështrimi i BE-së kriza që në Itali vjen – ashtu si gjothmonë në këtë vend, në një kohë të papërshtatshme. Vendi me ekonominë e tretë të fuqishme në Eurozonë, ndodhet në krizë ekonomike, reformat strukturore nuk mund t’i zbatojë as qeveria e dështuar populiste. Borxhet e shtetit, sipas mendimit të komisarit të BE-së për Financat, Pierre Moscovici me 2,3 miliardë Euro janë shumë të larta. Bankat italiane i kërcënon kriza e mezi po mbahen më këmbë. Në tetor qeveria do të duhej të paraqiste në Bruksel buxhetin për vitin e ardhshëm, prej nga do të duhej të sqarohej se si do të përballohet mali i borxheve dhe si do të respektohen normat e Komisonit të BE-së. Nëse kjo nuk ndodh, Italinë e kërcënon një proces formal deficiti.
Situatë e pafavorshme për BE-në
Keytari i Legas Salvini edhe më parë e ka deklaruar qartë, se nuk do t’i nënshtrohet më “diktatit” fiskal të Brukselit. Salvini preferon më shumë borxhe dhe madje edhe një lloj monedhe paralele për Italinë. Por ka edhe të tjera arsye, përse ai konsiderohet si i rrezikshëm prej shumë politikanëve në Bruksel. Kryeministri i mundshëm në të ardhmen në Itali ka shpallur nga brenda një “revolucion të BE-së”. Ai është fare pranë ideve dekonstruktive të Steve Bannon. Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump këshillon edhe kryetarin e Legas dhe e ndihmon atë në luftën e tij të vazhdueshme elektorale. Pas kryeministrit hungarez, Viktor Orban do të ishte Matteo Salvini i dyti kryetar qeverie i hapur si nacionalist në BE. Një zgjidhje për çështjet e hapura në BE lidhur me migracionin dhe shpërndarjen e refugjatëve me një figurë drejtuese radikale të djathtë si Salvini në Itali do të ishte e pamundur.
Bernd Riegert/DW