Sport Perisic pranon ofertën e Bayernit, zbulohen shifrat e transferimit

Perisic pranon ofertën e Bayernit, zbulohen shifrat e transferimit

Ivan Perisic do ta vazhdojë karrierën te Bayern Munich. Anësori kroat ka pranuar t’i bashkohet ish-trajnerit të tij në kombëtaren kroate Niko Kovac te kampionët e Gjermanisë dhe mund të konsiderohet pasuesi i Franck Ribery në krahun e majtë të sulmit të bavarezëve. Pasi u mendua për disa orë, Perisic vendosi t’i thotë po Bayernit që e përqendroi vëmendjen nga nënkampioni i botës pas dështimit të tratativave me Leroy Sane për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi talenti i kombëtares gjermane.

Akordi mes Interit dhe Bayernit për Perisic është arritur për një huazim 1-vjeçar për 5 milionë euro, me të drejtë blerjeje për 20 milionë euro verën e ardhshme. Për Perisic bëhet fjalë për një rikthim në Bundesliga pasi më parë ka mbajtur veshur fanellën e Dortmundit dhe atë të Wolfsburgut. Pikërisht për të mbyllur sa më shpejt transferimin e 30-vjeçarit te Bayerni, Antonio Conte i cili e nxori jashtë planeve të tij kroatin nuk e ka grumbulluar për sfidën e kësaj të shtune për trofeun Naranja që Interi do ta luajë në Mestalla ndaj Valencias vendase.