Një ditë pasi Ministria e Financave anuloi dhënien me qira të Syrit të Kaltër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur një tender për hartimin e planit të menaxhimit për këtë monument natyre.
Sipas thirrjes së shpallur në agjencinë e prokurimeve publike, plani i menaxhimit për Syrin e Kaltër duhet të mbulojë të gjitha aspektet përfshirë ato natyrore, ekonomike por edhe sociale për 10 vitet e ardhshme.
Kompania private që do të shpallet fituese duhet të hartojë një plan të detajuar operacional me informacion të përditësuar për zonën e mbrojtur dhe të japë sugjerimet se si duhet të menaxhohet kjo zonë, përfshirë aktivitetet ekonomike e lejuara dhe buxhetin e kërkuar.
Tenderi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura për Syrin e Kaltër vjen vetëm një ditë pasi Ministria e Financave u detyrua të anulonte dhënien me qira të këtij monumenti natyror.
Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura tregojnë se vitin e kaluar Syri i Kaltër u vizitua nga rreth 85 mijë persona dhe gati 29 mijë mjete. Por Syri i Kaltër nuk është monumenti i vetëm natyror i dhënë me qira. Shumë ambiente në zona të mbrojtura të vendit i janë kaluar privatëve me kontrata shpesh simbolike qiraje si Driloni në Pogradec, apo të tjera në parqet kombëtare dhe monumentet natyrore.