Qeveria britanike i shprehu mbështetjen e plotë ambasadorit të vet në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratës së Trump se nuk do të bashkëpunojë më me të.
Presidenti amerikan reagoi pasi emailet e publikuara të Sir Kim Darroch zbuluan se ky i fundit e kishte cilësuar të paaftë administratën Trump. Në një seri postimesh në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do te kishin me lidhje me ambasadorin dhe kritikoi gjithashtu mënyrën se si Theresa May kishte menaxhuar Brexit.
“Çfarë rrëmuje shkaktuan Theresa May dhe përfaqësuesi i saj. I thashë se si duhej të vepronte por ajo vazhdoi me mënyrën e saj. Lajmi i mirë është se Britania e Madhe do të ketë së shpejti një kryeministër të ri”, deklaroi Trump.
Downing Street e cilësoi rrjedhjen e informacionit si të pafat dhe tha se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kishin ende një marrëdhënie të qëndrueshme e të veçantë. Por një zëdhënës i qeverisë u kujdes të theksonte se ambasadori duhet të jetë në gjendje të japë vlerësimet e tij të ndershme lidhur me politikën e vendit ku punon, dhe se kryeministrja e mbështeste plotësisht.
Më herët, Downing Street ishte shprehur se May nuk ishte në një mendje me konstatimet e Sir Kim Darroch, por se kishte besim të plotë tek ai. Korrespondenca konfidenciale e ambasadorit britanik u publikua tek Daily Mail të dielën. Aty përfshiheshin një sërë kritikash ndaj Trump dhe administratës së tij.