Në kulmin e tensioneve në Lindjen e Mesme, kur Irani sulmoi me raketa bazat e Shteteve të Bashkuara në Irak, Izraeli vijon të përforcojë kapacitetet mbrojtëse për të shmangur ndonjë sulm të ngjashëm.
Ditët e fundit, ushtria e shtetit hebre prezantoi një sistem të ri mbrojtjeje raketore i pagëzuar me emrin “Shpata Lazer”. Sistemi i ri mund të godasë me një shënjestër precize dhe largësi të mëdha objektivat, pa u penguar nga retë apo stuhitë e rërës. Ai do të testohet gjatë këtij viti dhe do të mbështesë sistemin aktual “Iron Dome”.
Kreu i departamentit të kërkimit dhe zhvillimit në ushtrinë izraelite, gjeneral Yaniv Rotem, deklaroi se ky sistem i ri do ta vendosë Izraelin në mesin e vendeve kryesore në rinovimin e armatimit dhe i bën të gatshëm për epokën e re të “luftës energjetike.”