Sport Conte: S’ka vlerë të shpallesh kampion dimri nëse nuk fiton në fund,...

Conte: S’ka vlerë të shpallesh kampion dimri nëse nuk fiton në fund, prapaskena me Ibrën

Inter-Atalanta është një nga duelet më të bukura të javës së fundit të fazës së parë në Serie A. Ndeshja luhet nesër (21:00) në San Siro dhe Antonio Conte e ka të qartë vështirësinë e madhe që pret djemtë e tij.

Trajneri zikaltër analizon përballjen e vështirë në konferencën për shtyp, teksa zbulon edhe një detaj interesant në lidhje me Zlatan Ibrahimovic. Kur ishte pjesë e Chelsea tentoi të afronte gjigantin suedez në “Stamford Bridge” por nuk ia doli dot.

“Ata janë sulmi më i mirë në kampionat dhe Gasperini meriton komplimente. Ai është një trajner i madh dhe punon fort, është një ‘kalë betejë’. Po realizon një rritje të madhe të ekipit të tij.

Nuk ka rëndësi nëse fazën e parë e mbyllim në krye. Rëndësi ka të jemi në fund të sezonit në këtë pozicion. Duhet të fitojmë nesër, por nuk do ta kemi të lehtë. Atalanta është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur. Ata luajnë një futboll intensiv, jemi të detyruar të luajmë në maksimumin e potencialit tonë.

Dua të uroj Ibrën për rikthimin në Serie A. Ka pasur një moment kur tentova ta afroj te Chelsea. Ai është një person të cilin e vlerësoj shumë. Mund t’i japë Milanit shumë në aspektin e personalitetit dhe përgjegjësive që merr përsipër“, përfundon Antonio Conte.