Politika izraelite po tronditet orët e fundit nga padia zyrtare që kryeprokurori Avichai Mandelblit ka paraqitur ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Prokuroria akuzon kryeministrin për korrupsion, mashtrim dhe shpërdorim detyre për një seri ngjarjesh të ndara në tre çështje.
Në dosjen më të rëndësishme, e quajtur 4000, Netanyahu akuzohet se ka ndryshuar një ligj duke favorizuar biznesmenin Shaul Elovich, në këmbim të një mbështetje të portalit të tij Walla, më i ndjekuri në vend. Sipas prokurorisë, ndryshimi solli përfitime deri në 500 milionë dollarë për biznesmenin.
Në çështjen e dytë, Netanyahu akuzohet se ka përvetësuar qindra mijëra dollarë nga biznesmenë të ndryshëm afër tij, ndërsa në çështjen e tretë akuzohet se ka dëmtuar një gazetë rivale të së përditshmes Yediot Aharonot, në këmbim të një mbështetje për të dhe bashkëshorten.
Kryeministri, që ndodhet në pozitë të vështirë politike dhe para fushatës së tretë zgjedhore në pak muaj, ka tashmë 30 ditë për të kërkuar imunitetin në Parlament, por pozita e tij në krye të Qeverisë duket gjithnjë e më e vështirë.
Netanyahu mohon të ketë kryer diçka në shkelje të ligjit dhe pretendon se është viktimë e një “gjuetie shtrigash” të kundërshtarëve të tij të krahut të majtë dhe mediave.
Ai insiston se nuk do të dorëhiqet pasi nuk është i detyruar ta bëjë diçka të tillë. Por njoftimi i drejtësisë vjen në një kohë ngërçi në politikën izraelite, pasi dy partitë kryesore dështuan në krijimin e një qeverie pas zgjedhjeve të prillit dhe shtatorit.