Opinione Testime, testime, testime (që të mos gjuajmë me sy mbyllur)

Testime, testime, testime (që të mos gjuajmë me sy mbyllur)

Paul Romer & And Rajiv Shah

Tani për tani, distancimi shoqëror është më e mira që Amerika mund të bëjë për të përmbajtur pandeminë Covid-19. Por nëse SHBA mobilizohet seriozisht, së shpejti mund të përdorë një armë më të mirë – testet e përparuara – që do t’i lejojnë vendit të zhvendoset gradualisht drejt një protokolli më pak shkatërrues dhe më efektiv se sa bllokimi.

Në vend të përzgjedhjes mes mbajtjes së bllokimeve dhe rrezikut të heqjes së tyre, SHBA mund të përdorë një strategji të qëndrueshme me teste sa më të shumta për aq kohë sa duhet për të krijuar një vaksinë ose kurë për sëmundjen. Vendi do të jetë kështu në gjendje të planifikojë të ardhmen, të rikthehet në punë të sigurt dhe të shmangë depresionin ekonomik. Kjo do të kërkojë investime masive për të përmirësuar prodhimin dhe për të koordinuar ngritjen e qendrave të testimit. Por alternativat e tjera janë edhe më të kushtueshme.

Dy lloje të testimesh do të jenë bazike. Testi i llojit parë që mbështetet në një teknologji të njohur si reagimi i zinxhirit polimerazë, ose PCR, mund ta zbulojë virusin përpara se një person të shfaqë simptoma. Është mënyra më e mirë për të identifikuar të infektuarit. Testi i dytë nuk gjurmon virusin por antitrupat që prodhon sistemi imunitar për ta luftuar atë. Ky test nuk është aq i efektshëm gjatë fazave të hershme të infeksionit, por pasi antitrupat janë prodhuar dhe virusi është zhdukur, ai zbulon se kush ka qenë i infektuar më parë.

Së bashku, këto dy teste do t’u japin politikëbërësve të dhëna për të marrë vendime më të zgjuara, si për shembull kush duhet izoluar dhe ku duhet të shkojnë burimet e ndihmës. Në vend që të gjuajmë me sy mbyllur, këto të dhëna krijojnë mundësinë për tu fokusuar aty ku duhet.

Po sjellim një ilustrim të thjeshtë për të kuptuar se si të dhënat e testeve shpëtojnë jetë. Ço ditë miliona punonjës të kujdesit shëndetësor shkojnë në punë pa ditur nëse janë të infektuar apo jo. Kështu ata mund ta përhapin virusin tek kolegët e tyre. Sapo dikush prej tyre ka kollë, ai largohet nga shërbimi. Por deri atëherë ai mund të ketë qenë një infektues për disa ditë kritike. Nëse ai dhe kolegët e tij do të ishin testuar të gjithë çdo ditë, infeksioni do të ishte kapur më herët dhe po ashtu izolimi do të ishte bërë në kohë.

Që të përdoret mekanizmi i ekzaminimit me teste në çdo fillim turni, duhet që ai të jetë në gjendje të japë rezultatin brenda disa minutash. Zhvilluesit janë duke përparuar në përshpejtimin e testeve PCR. Abbott dhe Roche, dy kompani farmaceutike, po ecin përpara me teste që mund të ulin kohën e raportimit nga ditë ose orë në minuta.

Ndërkohë me zgjerimin e kapaciteteve, të njëjtat testime mund të bëhen edhe për të gjithë punonjësit e tjerë të ekspozuar më shumë: oficerët e policisë, teknikët e urgjencës, e më pastaj farmacistët, nëpunësit e industrisë ushqimore, stafet sanitare. Hapi tjetër do të ishte testimi i njerëzve në të gjithë vendin, për të marrë informacion të azhurnuar se kush është infektuar dhe kush ishte i infektuar më parë. Për ata që janë infektuar aktualisht, qeveritë mund të ofrojnë ndihmë të menjëhershme për t’u siguruar që ata nuk infektojnë askënd tjetër, veçanërisht anëtarët e familjes. Të infektuarit më parë, të cilët tani kanë antitrupa të zhvilluar ndaj virusit, mund të jenë më pak të ndjeshëm për tu infektuar prapë. Nëse kjo vërtetohet në javët në vazhdim, ata mund të kthehen në punë.

Vendosja e këtij sistemi do të kërkojë burime dhe punë të palodhur. Prodhuesit e materialeve testuese do të duhet të rrisin shkallën e prodhimit të kompleteve. Në punën e tij duke luftuar Ebolën në Afrikën Perëndimore, Dr. Shah pa se një virus mund të shkaktojë një rënie ekonomike deri në 30 për qind. Llogaritjet e mbështetura në atë model, të bëra nga Z. Romer nxjerrin se recesioni i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit tashmë ka shkaktuar një rënie prej 20 për qind në prodhimin e SHBA. Kjo do të thotë se vendi po humb rreth 350 miliardë dollarë në prodhim në muaj. Kështu që një investim prej 100 miliardë dollarë në një program të gjerë për të bërë testet PCR dhe ata të antitrupave, do të sjellë shërim një muaj më shpejt, ai është me të vërtetë shumë fitimprurës.

Ndërtimi i këtij sistemi testimi do të ishte i ndërlikuar dhe do të kërkonte më të mirën nga shkenca, biznesi dhe filantropia amerikane për të punuar së bashku. Kjo është si ato sfida që SHBA-së i është dashur të kapërcejë edhe më parë. Nuk ia vlen të presësh një ose dy vjet për një vaksinë, para njerëzit të jenë të sigurtë për tu kthyer në punë. Për të shpëtuar jetë dhe për të parandaluar depresionin, testimi në shkallë të gjerë është rrugëdalja e duhur.

*****

Marrë nga WSJ. Paul Romer është profesor në Universitetin e Nju Jorkut dhe Nobel në Ekonomi 2018.

And Rajiv Shah është president i Fondacionit Rockefeller. Ai ka qenë administrator i Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar në vitet 2010-2015.

Shkrimin origjinal mund ta lexoni KETU