Në Shqipëri është shënuar viktima e 36 nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Spitalin Infektiv ka ndërruar jetë një 71-vjeçar nga Durrësi, i cili ishte shtruar në spital prej më shumë se dy javësh.
Ai ishte i infektuar me Covid-19 dhe fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë dot sëmundjes. Këtë të premte pati një numër të lartë të infektuarish, 31 të tillë.
“Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje”.
Megjithatë gjatë 24 orëve të fundit ka pasur numër më të lartë të shëruarish. 33 pacientë i janë shtuar listës që e kanë kaluar sëmundjen. Në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive.
Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.
Ministria e Shëndetësisë gjatë komunikimit të sotëm bëri thirrje për ndërgjegjësim.
“Të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjienën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e bërrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e larjes së duarve. Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë”.