Politika Topalli, akuza Bashës: E ktheu partinë në biznes të familjes, duhet drejtim...

Topalli, akuza Bashës: E ktheu partinë në biznes të familjes, duhet drejtim i ri në PD

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shpërthyer sot në akuza kundër kryetarit të PD, Lulzim Basha. Me anë të një postimi në “Facebook”, Topalli tha se Basha, përsa kohë ka marrë drejtimin e PD, vetëm e ka shkatërruar partinë dhe ëndrrat e demokratëve.

“Humbi sa herë hyri në zgjedhje, që kur u shpall kryetar i PD, la vendin pa opozitë, bëri PD (Partinë e endrrave) karneval, tradhtoi demokratët duke djeg mandatet e parlamentit, i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë dhe këshillat bashkiakë, shpalli vetëngrirjen dhe vrau votën në partinë, që solli lirinë e votës, zboi themelues, qëndrestarë, autoritete e kontribues, shpartalloi çdo strukturë të partisë të ngritur me sakrifica titanike, premtoi se nuk do lejonte zgjedhje me 30 qershor dhe bëri sikur e harroi, premtoi se nuk do dorëzonte bashkitë dhe i lëshoi pa asnjë problem, premtoi se do kishte zgjedhje me 13 tetor meqë kishte fituar me 85% ..dhe bëri sikur se mbante mend; premtoi në çadër se s’ka zgjedhje me Ramën dhe hyri në qeveri me Ramën kryeministër, i doli zot listës së tij private, tha se mbante totalisht përgjegjësi dhe tani bën sikur ia kanë sjellë nga marsi. Ktheu partinë në biznes të familjes…”

Sipas Topallit, ka ardhur koha që kjo gjë të marrë fund dhe që Basha të largohet nga drejtimi i PD. Për demokraten, vetëm në këtë mënyrë mund të rrëzohet kryeministri Edi Rama.

“Boll është boll! Me një drejtim të ri të Partisë Demokratike, Rama rrëzohet për pak muaj, e vendi çlirohet nga 4 vetë (partnerë të tij) që e mbajnë peng”, përfundon Topalli.