Ish-Kryeparlamentarja rrëfen ditën kur solli në jetë vajzën e saj Megi: “Ka qenë një moment me emocione tepër të forta, sa dhimbje aq edhe gëzim”
Në emisionin “Rudina”, këtë pasdite ishte e ftuar politikania e njohur Jozefina Topalli. Ajo është e martuar me Ndoc Topallin dhe kanë dy fëmijë, vajzën Megin dhe djalin Genarin.
Vajza Megi është bërë nënë e një djali të quajtur Nikolas në 16 Gusht të vitit 2019. Gëzimi dhe lumturia në familjen e saj është e madhe dhe Nikolasi është një bekim dhe dhuratë nga Zoti, që i ka bërë ditët e tyre edhe më të bukura.
“Është një gëzim dhe një emocion shumë i veçantë, është një dhuratë e Zotit dhe unë e ndjej veten e privilegjuar që po shoh fëmijët e fëmijëve të mi. Djali i vajzës është kënaqësia dhe dashuria e madhe në familjen tonë”, tha Topalli.
Në studio, Topalli tregon se ka përjetuar gëzim dhe dhimbje kur ka sjellë në jetë vajzën e saj, Megin, sepse babai i saj kishte ndërruar jetë dhe arkivoli i tij kalon para maternitetit ku ajo po lindte.
“Unë kur kam lindur Megin kam pasur edhe një histori të veçantë në fakt dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk kam qenë shumë e qetë. Sepse ditën që ka lindur Megi është bërë varrimi i babait tim. Domethënë lindja është përshpejtuar për shkak se disa orë më përpara më vdiq babai. Dhe kujtoj që kur unë po lindja, kur Megi po lindte në maternitet, tamam tek rruga përballë maternitetit po kalonte arkivoli, kështu që ai ka qenë një moment me emocione tepër të forta, sa dhimbje aq edhe gëzim. Por e di Rudina që këto ngjarje tepër të veçanta, që asnjeri nuk do donte t’i ndodhnin në jetë, të shënjojnë fort dhe të bëjnë të mendosh më shumë mbi jetën, gëzimin e një buzëqeshjeje, mbi rëndësinë e përqafimit brenda familjes, mbi rëndësinë e mirëkuptimit brenda nesh. Sepse në fund të fundit, jeta është një spektakël i vërtetë dhe nuk duhet të humbim asnjë çast nga çdo ditë që ne e jetojmë atë”, tha Topalli.
Më tej, Topalli tregon se amësia ka një efekt humanizues dhe ndryshon gjithçka në jetën e një gruaje.
“Amësia ndryshon çdo gjë. Unë e ndjek, qysh ditën e parë të lindjes unë e kam marrë në familjen tonë për ta ndihmuar time bijë, për ta rritur dhe e ndjek në çdo ditë, në çdo ndryshim, siç do nënë dhe si çdo gjyshe në botë. Dhe ndjek në mënyrë të veçantë dhe time bijë dhe shoh se amësia ka një efekt humanizues dhe ndryshon gjithçka në jetën e një gruaje”.
Jozefina Topalli ka dëshirë që kur të rritet nipi i saj mos e thërrasë gjyshe, por nëna Ina.
“Nuk më pëlqen të më thërrasë gjyshe të them të vërtetën. Por do më thërrasë nëna Ina, besoj. Se mua kështu më thërrasin në shtëpi. Ose do më thërrasë në emër, nuk e di, nuk i jap shumë rëndësi kësaj. Ajo që dua është të rritet i shëndetshëm me mamin dhe babin e vet dhe të kenë qetësi në familjen e tyre dhe të kenë shëndet dhe jetë”, tha Topalli.