Kryesore Topalli: Nëse kritikon shefin, shpallesh armike, të ikin katër shahistët

Topalli: Nëse kritikon shefin, shpallesh armike, të ikin katër shahistët

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nderuar me çmimin e karrierës në Universitetin e Shkodrës. Në fjalimin e falenderimit, Topalli tha se është e habitur, pasi “kur bie nga pushteti nuk të japin çmime”.

“Unë isha mësuar që sistemi, edhe pse isha e para, hiqnin foton time nga tabela e nderit. As sot nuk ka ndërruar sistemi. Nëse kritikon shefin, shpallesh armike. Kurrë nuk e kam imagjinuar se do isha kryeparlamentare, por as në ëndërr nuk e kam imagjinuar se në liri do të kishte mungese përfaqësimi dhe djegie mandatesh”, tha Topalli.

“Më kanë hequr nga politika kur kisha për të dhënë më shumë. 4 persona mbajnë sot peng vendin, vetëm fëmijët tanë mund të sjellin ndryshimin. Do të ishte më mirë të iknin katër shahista, sesa të largohen shqiptarët nga vendi i tyre”, shtoi Topalli.

Deklarata e plotë e Topallit

“Para pak ditësh, më erdhi një mesazh në celular nga një pedagoge e universitetit tonë e cila më vuri në dijeni se do nderohesha me një çmim nga universiteti Luigj Gurakuqi. E lexova por ndërkohë po mbaja në krahë, fëmijën e sapolindur të vajzës, thashë do i përgjigjem sapo të jem e lirë. Në fakt u çudita, zakonisht, kur bie nga pushteti, nuk të japin çmime, e gjeta veten me buzë me gaz. Jam shumë mirënjohëse për këtë çmim dhe të gjithë ju që jeni në këtë ceremoni shumë prekëse për mua.

Nëse dikush mendon se politika ka qenë pasioni im, gabohet, ndoshta unë jam sot këtu për shkak të angazhimit tim 20-vjeçar në politikë, por pasioni dhe dashuria ime e madhe ka qenë matematika.

Unë isha mësuar që sistemi edhe pse isha e para hiqnin foton time nga tabela e nderit, as sot nuk ka ndërruar sistemi.

Tetë vite, nga 20 deri në 28 vjeçe, punova në stacion të mistri, si punëtore bujqësie, kam mbjellë tokën, kam prashit, kam mbajtur thasë. Më vonë më pranuan në Universitetin e matematikës në Tiranë, por për shkak të vajzës së vogël, e vijova në Universitetin e Shkodrës. Unë kam dështuar për shumë vite, derisa hyra në universitet. Kurrë nuk e kam imagjinuar se do isha kryeparlamentare, por as në ëndërr se kam imagjinuar se në liri do kishte mungesë përfaqësimi, sepse dikujt për të ruajtur karrigen e vetë i interesonte djegia e mandateve.

Ne duhet të ndryshojmë që tani sistemin e edukimit. Katër persona mbajnë peng vendin. Është kur i humbet të gjitha, kur ndihesh i fortë. Politika jonë është në krizë të thellë, vendi është pa përfaqësim. Nuk ka qeveri, opozitë, ata kanë deformuar demokracinë. Ose bëjnë pazare, ose bëjnë shantazhe. Është më mirë të ikin katër shahistët. Nëse forcat e vjetra politike nuk reformohen, ka vetëm një zgjidhje, një lëvizje të re”.