Torino nuk ka mundur t’i bëjë ballë Juventusit në derbin e radhës të luajtur këtë të shtunë, në javën e 11 të Serie A. “Zonja e Vjetër” ka marrë dhe një 3 pikësh të merituar, në një nga ndeshjet më të luftuara prej saj.
Ekipi i Sarrit ishte nën presion në këtë ndeshje edhe për shkak të fitores së Interit në transfertën e Bolonjës, i cili kishte marrë përkohësisht vendin e parë. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, me një rast sërish të diskutuar nga kundërshtarët e Juventusit, pas një topi të prekur me dorë nga holandezi De Ligt. Arbitri vijoi lojën dhe nuk e pa VAR-in për t’u siguruar nëse lojtarët e Torinos kishin të drejtë apo jo.
Me fillimin e të dytë, Juventus u hodh në sulm për të fituar ndeshjen ndërsa vendasve iu desh të tërhiqeshin në mbrojtje dhe të shfrytëzonin kundërsulmet. Në minutën e 70 të takimit ishte pikërisht De Ligt ai që shënoi golin e avantazhit për Juventus, me të cilin kampionët morën dhe 3 pikët e nevojshme për kreun e kampionatit, i cili këtë vit kërcënohet seriozisht nga Inter.