Një nga futbollistët me karrierën më mbresëlënëse i dha fund sot futbollit të luajtur.
18 vite nga debutimi në elitë, Fernando Torres njofton se nuk do të zbresë më në fushat e blerta. Legjenda spanjolle, një ndër më të mirë e erës moderne të futbollit, u tërhoq pikërisht këtë të premte pas ndeshjes së fundit me japonezët e Sagan Tosu, atje ku për ironi të fatit u përball me skuadrën e bashkëkombasit të tij, Andres Iniesta.
Fatkeqësisht, ndeshja e fundit e Torresit përfundoi me humbjen e thellë 6-1.
Torres fitoi gjithçka në rrugëtimin e tij, duke nisur nga Kupa e Botës, dy Kampionate Europiane si protagonist, Champions League me Chelsea, ndërsa shkëlqeu në pjesën më të madhe të karrierës si futbollist i Atletico Madrid dhe Liverpool.