Sot 55 përqind e popullsisë në botë jeton në zona urbane dhe sipas Kombeve të Bashkuara, ky numër pritet të arrijë deri në 68 përqind deri në vitin 2050, por ndërsa më shumë njerëz shtohen nëpër qytete, aq më shumë shtohet edhe trafiku i automjeteve. Situata do të përkeqësohet çdo herë e më shumë, nëse shtetet nuk gjejnë një zgjidhje. Sipas Forumit Ekonomik Botëror numri i makinave në të gjithë botën pritet të dyfishohet deri në vitin 2040. Është e vërtetë që shtetet nuk mund të eliminojnë trafikun, por teknologjia moderne mund t’i ndihmojë ekspertët rrugorë të menaxhojnë më mirë trafikun. Qytetet kanë mundësinë që tani të shfrytëzojnë fuqinë e të dhënave të mjedisit rrugor, për të kuptuar dhe dizajnuar më mirë infrastrukturën e transportit, duke përmbushur kështu nevojat e banorëve të tyre.
Këtu janë vetëm disa nga mënyrat se si teknologjia po ndihmon për të zgjidhur problemet tona me trafikun rrugor.
Menaxhimi dhe planifikimi më i mirë i trafikut
Shtimi i korsive në rrugë, prej kohësh ka qenë një ndër veprimtaritë kryesore për shmangien e trafikut. Ndërsa, ndërtimi i rrugëve, autostradave të reja dhe sistemeve të tranzitit është një proces shpesh i ngadaltë dhe i kushtueshëm. Sidoqoftë, qytetet mund të mbledhin dhe analizojnë të dhënat e trafikut, për të menaxhuar më mirë kërkesën e sotme dhe të planifikojnë kapacitetet e ardhshme. Shumica e qyteteve krijojnë modele trafiku bazuar në anketat e shoferëve, por ato janë subjektive dhe kërkojnë kohë për t’u mbledhur. Meqenëse ato merren një herë në vit, informacioni shpesh është i vjetërsuar deri në kohën kur publikohen. Ndërsa, të dhënat nga sensorët e automjeteve mund të çojnë planifikimin e transportit në një nivel tjetër. Departamenti i Transportit në Utah, SHBA në partneritet me kompaninë e teknologjisë Iteris po krijojnë një sensor për makinat që do të regjistrojë ngecjen e makinave në trafik në kohë reale, duke përfshirë edhe një sërë informacionesh të tjera si vonesat, aksidentet dhe ndikimet e motit në çdo rrugë. Ky informacion do të lejojë zyrtarët që të rregullojnë kohën e semaforëve dhe të evitojnë trafikun. Platforma e quajtur “KETU”, gjithashtu do të sigurojë të dhëna të vazhdueshme, kjo gjë do t’i lejojë ekspertët të bëjnë plane afatgjate për shmangien e trafikut.
Shoferët të informuar
Të dhënat e trafikut, gjithashtu mund të dërgohen edhe nga shoferet, duke i ndihmuar ata të mos presin për orë të tëra në trafik. Të dhënat e platformës, i japin sinjale shoferëve gjatë gjithë kohës se cila është rruga më e lirë që ata mund të ndjekin. Mbledhja dhe shkëmbimi i të dhënave të trafikut, ndihmon qytetet të lehtësojnë bllokimet e rrugëve dhe qytetarët e kanë më të lehtë për të lëvizur. Sipas një studimi të McKinsey një firmë konsulence në Amerikë, deri në vitin 2025, qytetet që përdorin aplikacione për lëvizje të zgjuar kanë potencialin të shkurtojnë kohën e udhëtimit me një mesatare prej 15% – 20%. Gjithashtu me anë të aplikacionit, shoferët do të dinë më mirë se në çfarë kohe mund të lirohet parkimi që ata dëshirojnë. Një studim në vitin 2014 në San Francisko, tregoi se informacioni në kohë reale, do të zvogëlonte kohën e kërkimit për parkim me 43%.
Një frymë inovacioni
Ekzaminimi i të dhënave të trafikut mund t’i bëjë rrugët më të sigurta dhe më të lehta për të udhëtuar.
“Një sistem i tillë transporti do të ndikonte gjithashtu në lumturinë dhe mirëqenien e individëve. Komunitetet duhet të kenë një larmi zgjedhjesh,” thotë Seleta Reynolds, menaxhere përgjithshëm e
Sipas saj jetojmë në një kohë kur njerëzit duhet të përdorin më shumë transportin publik, duke çliruar rrugë që nuk janë në rrugë kryesore transitore për qëllime të tjera të përcaktuara nga komuniteti.
“Ne jemi në prag të ndërprerjes së trafikut të shumtë. Deri më tani kemi qëndruar ulur në makinat tona, duke pritur të na vinte një zgjidhje, por duhet të kuptojmë se ne mund të menaxhojmë vet ekosistemin në mënyrë inteligjentë për të mirën e ë gjithëve,” shton Reynolds.
Një aplikacion i vetëm mund të sigurojë kohën e saktë të mbërritjes në të gjithë qytetin, si për shoferët ashtu edhe për pasagjerët që presin autobusë dhe trena. Ndër të tjera aplikacioni do të paralajmërojë njerëzit në kohë reale për vonesat dhe do t’i sugjerojë atyre një rrugë tjetër, ose dhe një mënyrë tjetër transporti. Ndërsa, njerëzit do të bëjnë zgjidhjen e tyre më efikase, gjithashtu do të pakësohet trafiku dhe do të ketë më pak aksidente dhe ajër më të pastër. Teknologjia është e gatshme për të krijuar këtë aplikacion dhe për ta vënë në dispozicion të qytetarëve, kështu që u takon udhëheqësve të qyteteve të krijojnë buxhetin e duhur dhe të përfitojnë nga kjo teknologji. /Business Insider/