Trashëgimtarët e shtëpisë italiane të modës ‘Gucci’ kanë kritikuar filmi e ri “Shtëpia Gucci”, pasi sipas tyre anëtarët e familjes përshkruhen si “huliganë”.
Në film luan Lady Gaga në rolin e Patrizia Reggiani, e cila u dënua për vrasjen e ish-bashkëshortit të saj, trashëgimtarit të modës Maurizio Gucci, në vitin 1995.
Në deklaratën e tyre e shpërndarë për mediat, familja tha se ata u portretizuan si “injorantë” në filmin ku Maurizio Gucci interpretohet nga aktori Adam Driver së bashku me Jared Leto dhe Al Pacino si anëtarë të tjerë të familjes.
“Familja Gucci rezervon të drejtën për të ndërmarrë çdo iniciativë për të mbrojtur emrin dhe imazhin e tyre dhe të njerëzve të tyre të dashur”, thuhej në deklaratë.
Ata shtuan se Aldo Gucci (i luajtur nga Al Pacino), i cili ishte kryetar i kompanisë nga 1953 deri në 1986, dhe të afërm të tjerë u portretizuan “si banditë, injorantë dhe të pandjeshëm ndaj botës përreth tyre”, duke u atribuuar protagonistëve dhe ngjarjeve një qëndrim që nuk i përkiste kurrë.
“Kjo është jashtëzakonisht e dhimbshme nga pikëpamja njerëzore dhe një fyerje për trashëgiminë mbi të cilën është ndërtuar marka sot”, lexohet më tej në deklaratë.
Familja deklaroi se ata ishin veçanërisht të ofenduar nga përshkrimi i Reggianit, i cili “është portretizuar jo vetëm në film, por edhe në deklaratat e anëtarëve të kastit, si një viktimë që përpiqet të mbijetojë në një kulturë shoviniste mashkullore”.
Vetë familja Gucci nuk ka qenë e lidhur me shtëpinë e modës që nga vitet 1990. Marka luksoze aktualisht është në pronësi të grupit francez ‘Kering’. Aktualisht nuk po ndërmerret asnjë masë ligjore nga familja kundër filmit dhe producentëve të tij.