Aktualitet Gazetarja: Femrat shqiptare po drejtojnë shtëpi hashashi në Britani

Gazetarja: Femrat shqiptare po drejtojnë shtëpi hashashi në Britani

Femrat po marrin rol në krimin e organizuar shqiptar. Ditën e sotme në emisionin “Opinion” u fol për femrat që janë përdorur nga bota e krimit për të realizuar atentate apo ngjarje të ndryshme kriminale.

Gazetarja Fatjona Mejdini tha se përgjithësisht femrat janë përdorur për trafikun e drogës. Megjithatë roli i tyre së fundmi është futur edhe te pastrimi i parave.

Por sipas Mejdinit, nga studimet e fundit ka rezultuar se femrat shqiptare po drejtojnë shtëpi hashashi në vendet Perëndimore si në Britani etj.

“Ne sot e kësaj dite i kemi pasur vajzat në pozicione suportive të këtyre që quhen bosët e krimit. Kryesisht janë përdorur për trafikun e drogës. Mendoj që një pjesë e madhe janë viktima. Madje nuk është e çuditshme që një pjesë e vajzave të showbizzit mund të jenë viktima. Mundet që në fillim të jenë joshur nga paratë dhe më pas janë detyruar të bëjnë gjëra që nuk do të kishin konsensus për t’i bërë. Kryesisht femrat janë përdorur si mushka droge. Në pjesën e transportit të drogës. Së fundmi ne po vëmë re një fenomen, femrat po përdoren për të pastruar paratë. Shpesh pas ndërtimeve gjigande dhe bizneseve të tjera të mëdha qëndrojnë femra që nuk kanë asnjë lloj CV në biznes, por thjesht vendosen si përfaqësuese të krimit për të pastruar paratë dhe për të shpërndarë përgjegjësi. S’kemi pasur ndonjë femër këto 30 vite me pushtet në botën e krimit. Kjo është e çuditshme.

Krimi jonë i organizuar pasqyron edhe shoqërinë tonë, ku femra duhet të jetë mbështetëse e mashkullit dhe jo të ketë të drejtat e saj.  Sipas studimeve kemi edhe femra që kur shkojnë jashtë si Britania e Madhe, aty ka më shumë mundësi, dhe në fakt ka raste, ato janë bërë sipërmarrëse në ndërmarrje edhe të drogës. Femra nga Shqipëria që drejtojnë shtëpitë e hashashit në Britaninë e Madhe, në vende të ndryshme, mbase jo vetëm në Londër. Kjo do të thotë edhe në atë konservatorizmin shqiptar dhe do të thotë që kur femrat lëvizin jashtë jo vetëm që bëhen të zonjat në shumë fusha, por edhe në krimin e organizuar marrin iniciativa”, tha Mejdini.