Policia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëlloi për vdekje një person që dyshohet se vrau një aktivist të së djathtës gjatë protestave në Portland, Oregon.
Michael Reinoehl, 48 vjeç, po hetohej për vrasjen e një mbështetësi të presidentit amerikan Donald Trump gjatë trazirave që shpërthyen në fundjavë.
Reinoehl, një mbështetës i Antifa-s, pretendonte se kishte vepruar për t’u vetëmbrojtur kur kishte qëlluar Aaron Danielson, pjesëtar i grupit Patriot Prayer. Policia bëri më dije se burri kishte qenë i armatosur dhe se ishte qëlluar gjatë një konfrontimi me efektivët, pasi këta të fundit kishin shkuar pranë banesës së tij.
“Efektivët ishin pranë apartamentit të tij për të gjetur të dyshuarin për vrasje. Në një moment ai del nga apartamenti dhe hipën në një makinë të parkuar aty pranë. Pati konfrontim mes efektivëve dhe të dyshuarit, i cili ishte i armatosur”, deklaroi zyra e sherifit në vendngjarje.
Të shtunën e kaluar mbështetësit e Trump mbajtën një manifestim të madh dhe u përleshën me protestuesit kundër racizmit. Lëvizja “Black Lives Matter” proteston çdo natë në Portland, që prej vrasjes së George Floyd në muajin maj.
48-vjeçari Reinoehl, i cili merrte pjesë rregullisht në protesta, kishte thënë se ai dhe një mik i tij kishin menduar se do të qëlloheshin me thikë nga Danielson. “Nuk kisha zgjidhje tjetër”, ishte shprehur ai.
Të enjten presidenti amerikan Donald Trump iu referua vrasjes së Danielson, përmes një postimi në Twitter. “Përse policia nuk e arreston vrasësin gjakftohtë të Aron Danielson. Veproni shpejt”, shprehej ai.