Opinione Tre arsyet pse do protestojë opozita

Tre arsyet pse do protestojë opozita

Me 18 shkurt, si është parathënë, Partia Demokratike do të fillojë ciklin e protestave dhe të demonstrimeve, të cilat shpresojnë të jenë masive, të vazhdueshme dhe do të çojnë në rënien e qeverisë.

Të paktën ky është versioni i shpallur publikisht dhe nën këtë moto ata po thërrasin të gjithë njerëzit tek të cilët besojnë se do të mund t’u përgjigjen.

Ndërkohë aleatët, gjysëm sharlatanë dhe gjysëm të rrezikshëm, si janë zakonisht të tillët, kanë bërë paralajmërime edhe më të forta, duke parathënë se me 18 shkurt e në vazhdim, Tirana, vendi ku po bëhet thirrje të demonstrohet, do të digjet dhe se në zgjedhjet e qershorit ata do të jenë pa Ramën.

Shefi juridik i opozitës ka disa ditë që po bredh qytet më qytet duke synuar mbledhjen e sa më shumë përkrahësve të tij, si një dëshmi force, më shumë personale se sa partiake, për të paraqitur figurën e tij politike si një lider të cilit njerëzit i binden dhe e pasojnë.

Në diskursin e tij politik, çuditshëm, ndoshta nga ai lloj naiviteti politik levantim, kanë hyrë edhe shprehje, si “qeveria ime”, “kur unë të jem kryeministër”, “ligji i parë që do të abrogoj do të jetë ai për arsimin e lartë”, “qeveria nën drejtimin tim”, etj, të cilat, më shumë se për t’i mbushur mendjen të tjerëve, është një forcim zemre për veten.

Përse do të protestojë opozita më 18 shkurt?

Opozita ka gjithë të drejtën e botës të protestojë sa herë të dojë, ku të dojë, me cilët të dojë, por jo si të dojë.

“Jo, si të dojë” –  do të thotë se ajo nuk ka të drejtë t’i verë zjarrin Tiranës për hatër të “mendjendriturit” Krashnik Spahiu. As për mendjen zjarrvënëse të Sali Berishës. As për kërcëllitjen e dhëmbëve të Flamur Nokës.

Opozita ka të drejtë të protestojë gjithë ditën e gjithë natën kundër qeverisë për të gjitha gjërat ku mendon se nuk është vepruar drejtë, për korrupsionin nëse ka fakte, për kanabisin që mbuloi vendin – dhe është pritur të bëhet, për koncensionet – edhe pse e ka pasur vetë natyrë të punës.

Por, në të vërtetë ajo nuk proteston për këtë.

Janë disa arsye të tjera përse ajo do të protestojë.

Dhjetëra e ndoshta mijëra vetë do të jenë aty ndoshta sinqerisht, por këto janë si atë ujëat që territen nën rërë.

1. PD-ja do të protestojë fillimisht, pasi, më mirë se kushdo tjetër, ajo e di se në zgjedhjet e qershorit do të ketë rezultatin më katastrofik në historinë e saj politike.

Si asnjëherë më parë, të gjitha sondazhet e vetë asaj si forcë politike, tregojnë se kjo është një rënie që nuk po ndalet dhe se hemorragjia e votave po bëhet njëri ndër problemet më themelore.

Jo vetëm si vazhdë inercie në politikën shqiptare, ku rotacionet bëhen në –do tetë vite, herë – herë si meritë e forcës drejtuese, e herë–herë si rrjedhojë e vjedhjes së votave, kjo ndodhi në vitin 2009, por mbi të gjitha se asnjëherë më parë vendi nuk ka pasur një opozitë më anemike, e cila, në vend që të ishte opozitë e ideve, vizioneve dhe e rrugës, u bë më shumë opozitë e fb, e qytetarit digital dhe e dërdëllitjeve pa fund të ditëve të enjte të një njeriu të vetëm.

Në katër vite opozitë asnjë nismë e rëndësishme politike nuk u mor nga kjo opozitë, e cila ka mbetur me xhaketat e vjetra të politikës, shumica e të cilëve kanë mendjen se si do të shpëtojnë nga drafti i ri i drejtësisë dhe se ku mund të jetë fati i pronave të tyre. Shumë nga ata tani nuk po ndihen më, janë strukur, nuk duken nëpër foltoret, nuk jam më skifterët e politikës agresive, pasi, ashtu si u kanë thënë dikur kundërshtarëve të tyre, “rrini urtë dhe nuk do e pësoni”, ashtu mendojnë se do të ndodhë edhe me ta.

Humbja nga zgjedhjet është e vërteta e parë e demonstrimit. Njerëzit, në një shumësi të madhe, e kanë humbur besimin tek opozita, e cila, fillimisht mendoi se mund të shpëtonte nga “paterica” Meta dhe tani nga “paterica Trump”, por kurrë nga këmbët e veta.

Për të dalë nga humnera e një humbje të paralajmëruar, edhe nga vetë lidershipi i saj, opozitës i duhet një lëvizje radikale, e cila do mund t’i japë disi ngjyrë “blu-së” që është kthyer në një të kaltër drejt shuarjes.

Nuk ka rëndësi se si mund të shkojë lëvizja radikale, e rëndësishme është që njerëzit të marrin disi zemër, sepse me këtë mendje askush nuk e di fundin e rrokullimës politike.

2. Opozita do të demonstrojë mw 18 Shkurt jo vetëm nga frika e humbjes së zgjedhjeve, por edhe nga fati vetjak i shumë prej figurave të njohura të saj.

Para tyre janë tashmë “ dy vetingje”; ai i kontrollit të pasurisë, dhe ai i pastërtisë së figurës politike.

Në të parin përballja do të jetë e furishme, dhe, megjithëse mendohet se i kanë marrë masat për të fshehur këmbët e krimit financiar që kanë bërë mbi këtë vend, përsëri disa humnera nuk mund të zhbëhen.

Ndoshta nuk është e rastësishme, por sipas hulumtimeve serioze ndërkombëtare, institucioni më i besueshëm sot në Shqipëri është pikërisht Kontrolli i Lartë i Shtetit. Këtë nuk e vë askush në dyshim.

Aktet e kontrollit të këtij Institucioni shpesh herë janë varur, si dikur nëpër mure vareshin lajmërimet për mbledhje, por tashmë po vjen vrullshëm koha që organe të specializuara, edhe ndërkombëtare, t’u rikthehen atyre.

Në aktet e këtyre kontrolleve serioze janë emrat e atyre që shkuan dhe të këtyre që janë. Dëmet, në mos një ditë, një ditë tjetër, duhen paguar.

Çfarë do të bëhet me dëmet e jashtëzakonshme në Rrugën e Kombit, në privatizimin e CEZ, në koncensionet e dhëna, në tenderat, etj.

Opozita del në shesh që reforma në drejtësi të mbetet në gjysmë të rrugës, ose, edhe më mirë, të mos fillojë fare.

“Vetingu” i dytë, ndaj opozitës dhe pozitës do të jetë hapja e dosjeve. Ndoshta, më në fund, kjo lojë, “të hapen, të mos hapen”, po merr fund.

Sa deputetë dhe figura të larta të opozitës do e gjejnë veten aty?

Askush nuk e di!

Një listë e parathënë në DITA flet më shumë se sa një mijë fjalë të tjera.

3.Mitingu, demonstrata apo protesta e 18 shkurtit është edhe një ndeshje brenda për brenda llojit. Kjo ka ndodhur edhe më herët, ndodh edhe tani. Shumë nga garda e vjetër nuk e duan Bashën në këtë post drejtues, ku figura e shefit politik është bërë një leckë politike, përmes së cilës mendohet të fshihen gjynahet e zullumet e familjes Berisha.

Të duash apo të mos e duash Bashën si shef partie, kjo është një çështje brenda një strukture politike, qoftë kjo edhe PD-ja.

Këtë e di edhe vetë ai. Në përballjen pas humbjes së qershorit, prej së cilës ai mund ta kalojë partinë e tij si forcë të tretë politike ose shumë afër kësaj, ai nuk do të mund të drejtojë duke ndenjur nën çadrën berishiane, apo duke ëndërruar në linjën Tiranë – Holandë.

Ai, më shumë se gjithçka tjetër, po përgatitet pikërisht për këtë përballje.

Në 18 shkurt ai do të përcaktojë përfundimisht besnikët e tij, të verbërit që i binden dhe, ndoshta, një pakicë intelektuale, si garniturë për të dëshmuar ndonjë vlerë politike e njerëzore.

Megjithëse, që në krye të herës, kam qenë kundër opozitës së sotme, edhe kur ajo ishte e plotfuqishme dhe bënte në mes të Shkodrës mitingje të posaçme kundër meje, përsëri më vjen keq.

Me një opozitë të tillë qeveria livadhis si të dojë dhe unë jam kundër livadhisjes.

Të kujtdo qoftë. Sepse Shqipëria nuk është livadhi i askujt.