Ekonomi Investitorët e huaj, jo vetëm call center, por tashmë shërbime IT

Investitorët e huaj, jo vetëm call center, por tashmë shërbime IT

Portofoli i investimeve të huaja në vendin tonë po difersifikohet, duke mos mbetur vetëm në call center.

Tashmë interesi nga jashtë kufijve është për shërbime të tjera outsource, si kontabilitet, apo shërbime IT, nga kompani të njohura amerikane, gjermane, zvicerane e franceze, gjë që tregon se dhe krahu i punës në Shqipëri tashmë të jetë i një cilësie të lartë, me aftësi më të kualifikuara.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Investimeve me temë “Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar në tregun e punës – ‘Business Case’ i sektorit të Shërbimeve të Nënkontraktuara (BPO) që ofron Shqipëria për investitorët” u diskutua në lidhje me mundësitë që ofron tregu shqiptar dhe kërkesat që vijnë nga jashtë.

Në hapje të takimit, ministrja Ekonomi theksoi se çështja e disponueshmëria e fuqisë punëtore ka dalë si shqetësim në mbledhjet dhe analizat e mëparshme të Këshillit të Investimeve.

Ndaj për ta bërë më të kuptueshme dhe për të identifikuar llojin e problemeve që këta sektorë paraqesin u caktua Sekretariati i Këshillit të Investimeve, të merrte përsipër dhe të bënte disa vrojtime pranë bizneseve që ofrojnë këto lloj shërbimesh dhe të nxirrte disa rekomandime për këtë tematikë”, tha ministrja Ekonomi.

Ministrja Ekonomi theksoi se studimi i bërë sekretariati së bashku me grupin e kërkimit ku përfshihet AIDA dhe RISI Albania (realizuar nga Avasant), është një studim i cili ka sjellë disa rekomandime për të cilat ky Këshill ka nevojë të japë opinione, nëse ato qëndrojnë në kontekstin ekonomik që ne shohim.

Është shumë e rëndësishme që tek këto rekomandime të marrim në konsideratë nevojën për statistika të vazhdueshme në fushën e disponueshmërisë të fuqisë punëtore. Mënyra e të grumbulluarit të informacionit nga entet statistikore në Shqipëri, jo vetëm nga INSTAT-i, por edhe nga zyra të tjera kanë nevojë të përmirësohen dhe fuqizohen për sa i takon matjes së atyre që harxhojnë punë dhe matjes së atyre që harxhojnë investime për këto pozicion pune”,  tha ministrja Ekonomi.

“Është fakt se në Europën Lindore edhe këto shërbime kushtojnë shumë dhe po shihet tregu i punës në vende si Shqipëria për t’i zëvendësuar ato”, u shpreh  Beqiri i AIDA-s.