Sasia rekord e drogës të kapur në një magazinë në Përmet ka dyshime të forta se i përket tre grupeve kriminale me shtrirje në zonën e Tiranës dhe Tepelenës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka marrë prej disa ditësh hetimin e 12 ton kanabis, të grumbulluar në një godinë të rezervave të shtetit, në dalje të një fshatit në zonën e Përmetit, thotë se lënda narkotike ishte futur në mbi 800 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë.
Çdo thes ishte shënuar me bojë, ky ngjyrat ishin tre lloje dhe e vendosur në pjesë të ndryshme të magazinës, duke nënkuptuar se lënda narkotike i përkiste tre personave.
Çdo ngjyrë e vendosur në thasët prej plasmasi, tregonte se droga i përkiste X personi.
Ngjyrosja shërbente në mënyrë që trafikantët mos ngatërronin mallin e tyre të grumbulluar në një vend të vetëm.
Prokuroria ka ngritur dyshime të forta se lënda narkotike i përket dy personave nga Tirana me inicialet E.C dhe K.C dhe një shtetasi nga Tepelena. E gjithë sasia e drogës është kultivuar në këtë zonë dhe më pas është transportuar në magazinën buzë kufirit me Greqinë.
Prokuroria veç operacioneve operative që i ka në verifikim, nuk ka prova direkte që implikojnë këta tre biznesmenë, të njohur që meren me kompani bastesh, restorante etj.
Pikërisht në këtë magazinë, është bërë tharja e saj dhe më pas përpunimi, ku kishte mbetur vetëm procesi i paketimit, duke e bërë gati për trafikim. Sasia rekord e drogës është zbuluar falë një informacioni operativ të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, pranë ministrisë së Brendshme.
Pas zbulimit të drogës, ministri i ri Fatmir Xhafaj, vendosi të shkarkojë disa efektivë të komisariatit të Përmetit, të cilët kishin lejuar për një kohë të gjatë grumbullimin e kësaj sasie droge. Hetimet lidhur me këtë çështje janë duke u ndjekur tashmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.