Një sasi lënde plasëse e dyshuar si tritol i është vendosur një marketi në Theth, mëngjesin e sotëm.
Rreth orës 1:30 minuta, një person i cili duket edhe në kamera, është afruar në këmbë ka vendosur lëndën plasëse dhe është larguar.
Ndërkohë autori 39-vjeçar, i arrestuar, ka deklaruar për grupin hetimor se urdhrin për këtë veprim e mori nga burgu, pa dhënë detaje të tjera.
Nga shpërthimi ka dëme të shumta materiale. Biznesi është në pronësi të personit me iniciale Ç.B. Policia ka arritur të arrestojë autorin, një i ri nga një fshat tjetër. Ai po merret në pyetje në lidhje me shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse.
Njoftimi i Policisë:
Theth, Shkodër-Vendosi lëndë plasëse në derën e një marketi në fshatin Theth, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga Policia, pas tre orësh pas ngjarjes identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Kapja e tij u bë në kushte të vështira si pasojë e reshjeve të dëborës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin “Theth”, në derën e marketit së shtetasve Ç. B., dhe A.B., është hedhur një sasi e vogël, lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen në Qafë Thore dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. P., 39 vjeç.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 39 vjeçarit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.