Kulturë “Triumfi i Afërditës” dhe Triumfi i Artistit; Në ditën kur vepra e...

“Triumfi i Afërditës” dhe Triumfi i Artistit; Në ditën kur vepra e artit i shpëton nënçmimit

Nga Erold Zguro

Arti, megjithëse sektori që ka vlerën më të lartë ekonomike, referuar shitjeve rekord në ankande, rëndësisë në testamente që përcjellin trashëgiminë nga një brez tek tjetri, vlerës në koleksionet private, i gjen sot artistët shumë larg këtij koncepti triumfues të industrisë.

Jetojmë në një kohë kur nënçmimi dhe mosvlerësimi është realiteti që prodhon frika e çdo artisti kur vlerëson punën e një jete, vepre ose cikli të krijimtarisë, ku artistët e kanë të pamundur ta tejkalojnë këtë fazë kritike nënvlerësimi, e do ishte e padrejtë t’ia kërkonim vetë atyre. Tejkalimi i kësaj frike na fton në kontribut të gjithëve nga pak, e më tej i takon rrethit të gjërë të intelektualëve të ndajnë me artistët këtë sfidë të rëndësishme. Bashkimi i mendimit akademik dhe krijimtarisë artistike krijon një forcë të madhe në mos për të ndyshuar këtë realitet për t’i dhënë jetë mendimit që do nis ndryshimin. Vepra dhe krijimtaria artistike duhet t’i shpëtojnë nënvlerësimit dhe të konsideruarit si “mall” i rëndomtë në një shoqërie të orientuar drejt përgjithësimit, standardizimit, normalitetit e shpesh vanitetit të modeleve që mitizon konsumi.

Pa e ndërlikuar çështjen por duke i ruajtur rëndësinë, kalimi i kësaj faze kritike është një lloji “monedhe detyrimi” për njohjen parësore të realitetit, zhvillimin e intuitës perceptuese dhe prodhimit të një niveli estetik mendimi, që e gjithë shoqëria i detyrohet artit dhe artistëve.

Vlerësimi i arti dhe perceptimi për të do të rrinin në raporte të drejta, nëse vërtetojmë se historia e njerëzimit mbetet e njëjtë edhe pa asnjë vepër të krijuar në të. Por, megjithë rëndësinë e historisë së artit dhe ndikimit në botën moderne, sot kur flasim për artin dhe vlerën e tij përballemi me dilemën e njëjtë që kemi kur shohim një njeri që ecën në pedonalen kryesore të qytetit gjatë paradites, i veshur me rroba gjumi duke kënduar…vështirë të themi nëse e ka në terezi apo është komplet i çmendur.

A vjen ky relativizim si shkak i spekulimeve në emër të artit apo relativizimi total i asaj që perceptojmë kur vlerësojmë artin vjen si rezultat i “kostumit” që profesionistë fushe mundohen t’ia veshin artistëve, kjo temë i takon një diskutimi më të gjerë. Megjithatë, duhet të kuptojmë se për nga vetë natyra, perceptimi interpretimi dhe kuptimi i artit krijojnë një vakum në raportin mes vizionit dhe një interpretimi besnik të kritikës në përputhje me shpirtin e veprës dhe vizionin e artistit. Mendimi i shprehur me anë të fjalëve dhe gjuhës dështon me sukses të jetë paralelisht interpretues, e njëkohësisht të flasë në të njëjtën gjuhë konceptuale, në të njëjtin standart të njohjes intuitive,si ka treguar historia, minimalisht disa dekada pas krijimtarisë së një artisti. Theksojmë se përpjekjet për shpjegimet akademike e analiza të veprës të shkruara në të njëjtën kohë me epokën ku artisti krijon dështojnë me sukses të shpjegojnë, interpretojnë frymën dhe estetikën rreth krijimtarisë së artistit. Konkluzioni personal është se gjuha arrin të shpjegojë shumë pak rreth artit e çuditërisht flasim dhe shkruajmë më pak për skulpturën edhe edhe pse ajo ka një dimension më tepër se piktura.

Pas marrëdhënies së përditshme me artin për shkak të edukimit, pasionit prej kohësh dhe punës për rreth dy vite, kjo pamundësi interpretuese e gjuhës në raport me artin është objekt i vëzhgimit me shumë interes për mua. Ky artikull i dedikon shumicën e konkluzioneve studimit të formave në veprat gjysëm abstrakte dedikuar femërores, që i takojnë krijimtarisë në qeramikë të Prof. Kristo Krisikos.

Edhe pse forma të panjohura në botën që në perceptojmë, ne lidhemi dhe i njohim këto forma në një nivel parësor, megjithëse nuk i kemi parë kurrë më parë. Abstraksionet unike të qeramikës, nuk mund të vlerësohen të shkëputur nga rëndësia e formave biomorfike e përdorur mjeshtërisht në vizualizimin e cilësive të jetës sipas personazheve që përfaqësojnë. Përdorimi i këtyre formave i jep syrit ndjesi të rrjedhshme jo simetrike vështirë të interpretuar me fjalë, duke orientuar ndërgjegjen tonë drejt një niveli parësor njohje shumë pranë prologut dhe epilogut të jetës. Po të njëjtës natyrë krijimi i përkasin madje edhe hapësirat boshe përgjatë formave të skulpturës që të tërheqin drejt një gjuhe vizuale ku hapësira vetë është formë. Një gjuhë skulpture e bazuar në forma të rrjedhshne, të lakuara, gjysëm abstrakte – që nuk janë as përfaqësuese dhe as gjeometrike, ku edhe boshllëku ka kuptim në strukturën e veprës sa ka forma e qeramikës së plotë.

Në një paralelizëm me filozofin në Republikën platoniane, vepra artistike e ciklit të abstraksionit të Prof. Kristos është tërësisht e lidhur në gjykimin tim me orientimin e mendimit drejt realitetit, natyrës dhe njohjes parësore pra, prodhimit të realitetit përmes mendimit në art. Detyrë e intelektualëve dhe mendjeve të mprehta të shoqërisë është t’i rikujtojnë çdo gjenerate rëndësinë e investimit në këtë lidhje.

Realiteti i një shoqëri si e jona në krizë të thellë vërtetësie për t’i shpëtuar hijeve, duhet të vlerësoj drejtë artistë të tillë si arkitekt të realiteteve përtej gjuhës, aty ku konsumi dhe koha nuk kanë vlerë, ku ekzistenca ruhet në formë të kulluar e ku e shkuara dhe e ardhmja janë gjithmonë perfekte. Ndaj, artisti triumfon në këtë sfidë natyrshëm me anë të krijimit e për rrjedhojë shoqëria, në kuptimin e publikes, duhet të jetë mirënjohëse ndaj krijimtarisë artistike në një nivel vlerësimi aristokratik. E për këtë vlerë, artistit t’i jap vendin e merituar në një shoqëri ku vlerësohen meritat përtej titujve, ku arti është guacka e intelektualëve dhe krijimtaria artistike konservuesja e mendimit në formën më të pastër.

Rezultat i njohjes dhe përpjekjes rreth dy vite për të kuptuar ciklin e veprave abstrakte të prof. Krisikos i takon një pune studimore interpretuese në vazhdim të nisur me studimin e skulpturës “Triumfi i Afërditës”, për krijimin e një dekalogu si botim i plotë mbi vlerën e të tillë krijimtarie, përpjekjen për të perceptuar e për të arritur në një interpretim modest të filozofisë që rrethon këtë cikël krijimi, perspektivën e të cilit e përcjell ky artikull.